Analize

Një Bin Salman në të ardhmen e Iranit? Profecia e një disidenti dy vjet më parë

Sipas disidentit Arash Azizi, e ardhmja më e mundshme e Iranit nuk është një demokraci, por një regjim autoritar i udhëhequr nga teknokratë ushtarakë, sipas linjave të MBS (pavarësisht rivalitetit midis persianëve dhe arabëve): hapje të mundshme sociale (gratë, kultura) dhe diplomaci e ripërtërirë me SHBA-të. Por pa asnjë liri politike apo opozitë

Federico Rampini – Një e ardhme realiste për Iranin mund të sjellë në pushtet në Teheran një figurë të ngjashme me princin saudit, Mohammed bin Salman, por në versionin teknokratiko-ushtarak. Idea tingëllon provokuese.

Jo vetëm për rivalitetin e vjetër mes persianëve dhe arabëve, që u ashpërsua gjatë viteve të Khameneit. Madje, sipas disa prapaskenave, vetë bin Salmani e paskësh shtyrë presidentin Donald Trump drejt sulmit.

Për shumë iranianë që dolën në rrugë duke kërkuar një ndryshim të thellë, një skenar i tillë duket zhgënjyes.

Protestat shpërthyen disa herë vitet e fundit: në 2009, 2017, 2019 dhe 2022. Protestat e fundit të janarit, u shtypën me një dhunë të tmerrshme. Rreth 30 mijë të vrarë. Një bilanc që përshpejtoi edhe ndërhyrjen ushtarake të SHBA-ve dhe Izraelit.

Deri tani, shumëkush e ka mbivlerësuar forcën e këtyre protestave për të rrëzuar regjimin. Ndaj po diskutohet një skenar tjetër, më i ftohtë dhe më pragmatik: një ndërrim brezash në krye të pushtetit, si ai që ndodhi në Arabinë Saudite.

Pra, jo demokraci. Por një despot i ri, ndoshta më “i ndriçuar”, me profil teknokrati nga ushtria. Dikush që do të bëjë disa reforma, por jo të gjitha.

Këtë e kishte parashikuar dy vite më parë, Arash Azizi, një studiues iranian me emër ndërkombëtar dhe kundërshtar i hapur i regjimit.

Ai flet gjashtë gjuhë, ka studiuar në Gjermani e SHBA dhe sot jep mësim në Clemson University në Karolinën e Jugut. Libri i tij, “Çfarë duan iranianët: gra, jetë, liri”, pati jehonë të madhe.

Mesazhi i tij ishte i thjeshtë: mjaft me ëndrra për një të ardhme perfekte, le të mendojmë për atë që është e mundur.

Në vitin 2024, kur ai e formuloi këtë analizë, Khamenei ishte ende gjallë, nuk kishte pasur goditje ushtarake nga SHBA-Izraeli dhe regjimi dukej më i fortë se sot. Por shenjat e dobësisë ishin aty.

Zgjedhjet e 1 marsit 2024 për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve ishin një farsë, në stilin e Rusisë së Vladimir Putinit.

Që nga viti 1979, Irani ka pasur votime gjithnjë e më të kontrolluara. Opozita reale është shtypur. Edhe brenda kampit islamist, zërat më të moderuar janë margjinalizuar.

Megjithatë, qytetarët gjetën mënyrën e tyre për të protestuar: nuk dolën fare në votime. Pjesëmarrja zbriti në 41%, niveli më i ulët që nga viti 1979.

Shifra zyrtare mund të ketë qenë edhe më poshtë. Ishte një votë kundër ajatollahëve dhe liderit të tyre tetëdhjetëvjeçar.

Sipas Azizi-t, pas retorikës islamiste, shumë politikanë të Republikës Islamike nuk janë ideologë, por teknokratë pragmatikë që duan të qëndrojnë pranë pushtetit. Parashikimi i tij ishte i qartë: pas vdekjes së Khameneit, vendi mund të bëjë një kthesë të fortë.

Ai besonte se Irani mund të kalojë nga një teokraci në një regjim ushtarak autoritar, me politika më të pranueshme për popullin dhe për Perëndimin.

Në planin e brendshëm, mund të zbutet detyrimi për shaminë dhe disa rregulla shtypëse ndaj grave. Mund të ketë hapje për kulturën dhe artin.

Në politikën e jashtme, mund të rihapet dialogu me SHBA-të për programin bërthamor dhe madje të rikthehen marrëdhëniet diplomatike.

Në rajon, mund të vazhdojë afrimi i kujdesshëm me Arabinë Saudite. Ndërsa kthesa më e fortë do të ishte heqja dorë nga objektivi për të shkatërruar shtetin e Izraelit.

Shumë nga këto duken si kopje e asaj që bëri Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite: liberalizim shoqëror, më shumë hapësirë për gratë dhe kulturën, por zero lëshime për demokracinë.

“Nuk është Irani që ëndërrojnë studentët dhe feministet”, thoshte Azizi, “por është më i mundshmi, sepse teknokratët ushtarakë janë më të organizuarit dhe mund ta mbushin shpejt boshllëkun e pushtetit”.

Një bin Salman iranian do të ishte gjithsesi ndryshim nga situata aktuale. Ndoshta kjo është një nga opsionet që ka në mendje presidenti Donald Trump, i cili ka marrëdhënie shumë të ngushta me princin saudit.

Kur Trump foli për amnisti për ata që dorëzojnë armët, shumëkush u pyet nëse ishte pjesë e një pakete për të nxitur çarje në majat e regjimit dhe në aparatin e sigurisë.

Një skenar i ngjashëm me atë që po shihet në Venezuelë pas Maduros: jo rrëzim i plotë, por reformim nga brenda.

Edhe kundërshtarë radikalë e konsiderojnë këtë si “të keqen më të vogël”, sepse sot nuk duket në sfond një lidership alternativ i organizuar që mund të udhëheqë një tranzicion demokratik.

Djali i Shahut, Reza Pahlavi, mbetet një figurë interesante, por pa një strukturë reale pushteti në terren. Historia tregon se regjimet bien më lehtë kur përballë kanë një lider të njohur dhe një organizim të fortë, si Lech Walesa në Poloninë post-komuniste.

Pa një alternativë të tillë, mbetet vetëm rruga e ndërhyrjes së huaj ushtarake. Diçka që ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore në Itali, Gjermani e Japoni, por që dështoi në Irak dhe Afganistan.

Burimi: “Corriere della Sera”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë