Gazeta Si – Një atlet i huaj është gati të përfaqësojë ngjyrat kuqezi në të ardhmen dhe me shumë mundësi edhe në Lojërat Olimpike të Parisit. Lajmi është pohuar nga vetë presidenti i Federatës së Atletikës, Taulant Stërmasi, për emisionin ‘Zona 30’.
“Izmir Smajli mund të shkojë në Olimpiadë, por kemi dhe një sportist tjetër, një i huaj që do t’i bashkohet Shqipërisë shumë afër, besoj në mars. Mund të shkojmë me tre sportisë (Gega, Ismajli dhe i huaji) në Olimpiadën e Parisit, por të presim, sepse ai nuk është akoma shqiptar. Do të thosha vetëm se vjen nga një kontinent tjetër”, ka thënë Stërmasi.
Shqipëria ka natyralizuar deri tani dy mundës nga Çeçenia, nga të cilët Abakharov ka fituar edhe medalje, gjimnastin rus Matveri Petrov dhe skiatoren italiane Lara Kolturi.
Tani është gati edhe një tjetër dhe nga ‘identikiti’ që ndërton presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, ka shumë shumë shanse të jetë një sprintier, një atlet i garave të shpejtësisë, që mund ta vijë nga SHBA-të, apo ndonjë vend tjetër aty afër.
“Shqipëria nuk ka asnjë medalje në Olimpiadë dhe duhet ta provojmë. Luiza Gega bën stërvitje të fortë. Pati një dëmtim në Botëror, që nuk e la të jepte maksimumin, por ajo ia doli të renditet e 8-a në botë”, u shpreh Stërmasi për sportisten tonë më të mirë, Luiza Gegën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.