Njerez

Një artizan që nxjerr perlat e egra nga bredgeti shqiptar dhe i shndërron në ornamente

Ai është një artizan me origjinë nga Gjirokastra që jeton në Sarandë por artin e tij e shet dhe e promovon në Shkodër. Pasioni për të bukurën dhe tradita e moderuar vihen re sakaq sheh punimet e tij.

 Dritan Onjean deri në vitet ’90 me artizantin e lidhte vetëm trashëgimia. Talenti nuk është rastësi për të.

“Të dyja gjyshet dhe mamaja ime ishin artizane shumë të mira. Ime më punonte edhe në tezgjah ndërsa gjyshi ishte mjeshtër në gdhendjen e drurit. Pas rënies së sistemit komunist, unë vendosa të lija agronominë dhe të punoja si artizan. Ai ishte një tranzicion i madh në jetën time për të cilin jam shumë i lumtur. E kam gjetur veten kaq shumë brenda këtij arti sa thuajse e kam harruar punën si agronom”, nis rrëfimin ai për Gazetasi.al duke treguar se është i pari në Shqipëri që nxjerr perlat e egra nga bregdeti ynë duke i shndërruar në varëse dhe bizhu të ndryshme.

“Është një proces i vështirë sepse bëhet fjalë për të gjithë vijën bregdetare. Ditët pas furtunave kur deti ka dallgë dhe nxjerr guackat në breg, ne dalim për t’i mbledhur. E nisim kërkimin që nga Velipoja gjer në jug. Perlat përgjithësisht i gjejmë në Butrint, aty ku ka edhe më shumë midhje. Pas mbledhjes ata duhen tharë, duhen prerë dhe duhen përpunuar dhe ky është një proces i vështirë,” thotë për Gazetasi.al Onjea duke shtuar se ai punon edhe me koralet,gurët, qeramikën e së fundmi edhe me lulet e thara.

Kur e pyet përse ka zgjedhur Shkodrën, Dritani përgjigjet: “se shkodranët e duan artin”.

“Shkodranët janë njerëz artdashës, me kulturë dhe që e pëlqejnë të bukurën. Ata i njohin shumë mirë perlat, gurët dhe inxhinitë(margaritarët).

Zonjat shkodrane janë nostalgjike sidomos për inxhitë që i përdornin në rininë e tyre dhe i blejnë shpesh. Por edhe Gjirokastra e Korça i njohin jo pak”, thotë ai duke shtuar që çdo vit merr pjesë në të gjithë panairet që zhvillohen atje dhe ka marrë edhe titullin ‘Mjeshtër’.

E bukura e punimeve të tij është se ata nuk e përsërin njëri-tjetrin. Jo pak herë improvizohen edhe aty për aty.

“Çdo punim është unik dhe nuk i përngjan modeleve të mëparshme sepse edhe frymëzimi nuk është gjithnjë i njëjti. Shumë punime i bëjmë edhe në sytë e klientëve në mënyrë që ata të ndjekin të gjithë etapat dhe ecurinë e punës.

Turistët e huaj që janë shtuar vitet e fundit janë më të interesuar për punimet artizanale, por edhe shqiptarët po i pëlqejnë së fundmi. Përveç zonjave nostalgjike, janë shtuar edhe vajzat e reja që blejnë”, thotë ai teksa shton se në koleksionin e tij janë përfshirë dhe gurët e kristalet e ndryshme që tashmë janë shumë në modë.

“Kristalet po marrin shumë vëmendje. Çdo i tillë eshtë specifik për diçka të caktuar dhe ndryshon nga të tjerët.

Varëse me kristale

Disa janë për energji të mirë, disa për dashurinë, për pastrim shpirtëror etj. Vajzat e reja që janë supersticioze bëjnë blerjet më të mëdha të tyre. Të gjitha prej tyre kanë njohuri dhe e dinë shumë mirë se çfarë kristali të kërkojnë duke i lidhur edhe me shenjën e tyre të horoskopit”.

Dritani nuk ka ngecur në të njëjtat ide. Ai është gjithnjë në kërkim të modeleve të ndryshme që janë aktuale edhe me kohën.

Risia e fundit që ka përfshirë janë vathët me lule, me rezin.

“Lule të veçanta e specifike që çelin gjatë pranverës ose verës ne i mbledhim. Më tej i thajmë brenda librave të ndryshëm dhe me ta krijojmë vethe me lëndën e rezinës.

Rezina është një substancë me veti shumë të mira fizike, kimike dhe mekanike me të cilën mund të realizosh çdo formë dhe teksturë të mundshme. Të duhet vetëm kreativitet sepse gamat e teksturave dhe të ngjyrave janë të pafundme”, shpjegon ai për Gazetasi.al duke shtuar se këto bizhu po preferohen shumë.

Pasionin për artizantin e ka ndarë edhe me bashkëshorten e tij dhe djalin 14 vjeçar që e ndihmon dhe e shoqëron në panairet përgjatë Shqipërisë, për krahinat e së cilës ai thotë se të japin mundësinë të krijosh ornamente të pandeshura më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë