Mendim

Një aleancë anti-BE po merr jetë brenda Europës!

Ndërkohë që BE ka luajtur për shumë kohë “shat mat” me Ballkanin Perëndimor, duke vonuar procesin e zgjerimit të BE-së kryesisht për shkak të problemeve të veta, konteksti gjeopolitik në rajon ka ndryshuar. Tanimë në Europën Juglindore po lind një aleancë e re.

Arratisja e ish-kryeministrit autoritar të Maqedonisë në krahët mikpritëse të Hungarisë jo vetëm që ka zbehur autoritetin e BE-së në rajon, por edhe ka krijuar spekulime të reja rreth një lëvizjeje që merr formë në të gjithë Europën, por që nuk përfshin Bashkimin Europian.

Një sërë mediesh europiane kanë aluduar se një rrjet "demokracish konservatore" që mbajnë fasadën e demokracisë, po përhapen në të gjithë Europën, duke e shmangur Bashkimin Europian dhe duke sfiduar gjithë rendin liberal demokratik të kontinentit. Këto diskutime janë prezente më së shumti në Rusi, Turqi, Hungari, Poloni dhe Itali, por kanë filluar të përhapen së fundmi edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presideneti serb, lideri hungarez dhe Putin

Sipas Vladimir Krulj, anëtar i Institutit të Çështjeve Ekonomike të Beogradit, rënia e partive qendrore në Poloni, Hungari dhe Itali është e habitshme, për të mos përmendur atë që ndodhi më herët në Rusi dhe Turqi. Tanimë këto vende janë bashkuar në një aleancë të paligjshme që sfidon drejtpërdrejt vlerat e Perëndimit.

“Ajo që i bashkon këto regjime të Europës Lindore apo partitë e tyre partnere është antipatia e përbashkët ndaj pakicave, mediave kritike dhe bizneseve të mëdha ndërkombëtare. Kjo antipati zakonisht shoqërohet me nacionalizëm dhe një respekt të ekzagjeruar për fenë dhe traditat në përgjithësi”, shkruan Krulj.

Sipas tij, Ballkani ofron shembujt kryesorë të këtij nacionalizmi, me fqinjë që adhurojnë atdheun e tyre por nuk përshëndesin njëri-tjetrin . Dhe në shumicën e rasteve, nacionalistët admirojnë edhe nacionalistë të tjerë, si Viktor Orban në Hungari dhe Vladimir Putin në Rusi.

Vitktor Orban dhe Angela Merkel

Një nga aleancat më të fuqishme nacionaliste brenda Bashkimit Europian është ajo e Poloninë dhe Hungarisë. Ato janë gjithnjë në sinkron me njëra-tjetrën porsa i përket politikës së jashtme, por regjimet e tyre nuk janë aq të ngjashme.

Qeveria e Polonisë është konservatore dhe nacionaliste. Ajo dëshiron të qendrojë e izoluar dhe nuk do që BE-ja të ndërhyjë në punët e saj të brendshme. Por kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, është shumë më ambicioz dhe ideologjik, ai është radikal në një mënyrë që sunduesit e Polonisë nuk do të jenë kurrë.

Ai dëshiron të ndryshojë Evropën, jo vetëm Hungarinë, duke e kthyer Budapestin në qendrën nacionaliste të kontinentit. Çuditërisht, ideologu i ekstremit të djathtë në SHBA, Steve Bannon, sheh Hungarinë dhe jo Poloninë, si model. Kohët e fundit, Banon deklaroi në një intervistë se do të donte që "lëvizja” e tij të zhvendosej në Budapest.

Steve Bannon

Hungaria, Serbia, Polonia dhe Rusia kanë formuar tashmë një aleancë të re që kundërshton të gjitha rregullat e Bashkimit Europian. Kësaj lëvizje ka të ngjarë t’i bashkohet se shpejti edhe Italia, Moldavia dhe Bullgaria.

Rusia, e prirur të dobësojë BE-në dhe të krijojë paqëndrueshmëri ku mundet ka rritur ndërhyrjet e saj në çështjet e Ballkanit, pasi marrëdhënia e saj me Perëndimin është përkeqësuar. BE ka provuar disa herë të udhëheqë Ballkanin drejt Perëndimit, por nëse nuk ka arritje apo anëtarësime konkrete, rajoni mund të bëhet pjesë e aleancës së re të Europës Lindore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë