Lajme

Një 17-vjeçar krijon kandidat fals për Kongres, Twitter e verifikon si të saktë

Një student 17-vjeçar në New York vendosi që gjatë kohës së lirë të pushimeve të testonte përpjekjet e Twitterit mbi integritetin e zgjedhjeve. Ai u shpreh për CNN Business se u mërzit gjatë pushimeve të shkollës e vendosi të krijonte profilin imagjinar të një kandidati republikan me emrin Andrew Walz e që po garonte për Kongresin Amerikan me slloganin e tij “Le të bëjmë ndryshim në Washington së bashku”

Të tërë këtë trillim gjimnazisti 17-vjeçar, Donnie O’Sullivan e realizoi përmes Twitterit. Ai e hapi profilin imagjinar të republikanit Andrew Johnson pasi i kishte krijuar atij një website, e një fytyrë realistike përmes një sajti që gjeneron foto realiste të fytyrës së individëve që në të vërtetë nuk ekzistojnë. Më pas profili i tij në Twitter kishte marrë shenjën e autenticitetit (pra tick-un blu) që tregon se ky person jo veçse ekziston por është dhe një personalitet me rëndësi në komunitet apo botë. Donnie O’Sullivan, shprehet për CNN se u motivua ta realizonte këtë testim pasi kishte dëgjuar në një mësim në shkollë mbi debatin e ndërhyrjes së rusëve në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës

Djaloshi 17-vjeçar Donnie O’Sullivan që krijoi profilin fals në Twitter të një kadidati për Kongres

Ky verifikim i gabuar i Twitterit tregon mangësitë e problemet që rrjetet sociale shpesh kanë. Vitin e kaluar Twitter u kritikua rëndë për deklaratën se do t’i verifikonte kandidatët për Senat veçse nëse ata kalonin zgjedhjet primare. Arsyeja e kësaj kritike të rëndë që iu bë Twitterit ishte për faktin se shumë prej kandidatëve për Kongres nuk ishin dakord me këtë vendim të rrjetit social. Sipas kandidatëve të Kongresit, mospasja e shenjës së autenticitetit ndikon negativisht në donacionet e tyre për kandidim. Kështu, Twitter më pas iu dorëzua kërkesës së kandidatëve dhe e hoqi këtë rregull të ri. Por ky ndryshim, solli problemin aktual ku fare lehtë dikush mund të krijojë një profil fals të një kandidati për Kongres dhe të marrë shenjën e autenticitetit nga Twitter.

Vështirësitë e kandidatit të vërtetë

Kur Twitter vërtetoi si autentik kandidatin fals të krijuar nga adoleshenti 17-vjeçar, shumë prej kandidatëve të vërtetë në ShBA po i ankoheshin rrjetit social se profili i tyre nuk kishte marrë akoma shenjën e autenticitetit.

Janquell Peters, e cila po kandidon në zgjedhjet primare të shtetit të Georgias, shprehet për CNN Business se njerëzit e ekipit të saj e kanë kontaktuar Twitterin disa herë për ta verifikuar atë, por asgjë nuk ka rezultuar me sukses. Sipas znj.Peters, mos autenticiteti i profilit të saj në Twitter ka ndikuar negativisht në aspektin e donacioneve për fushatën e saj. “Çdo detaj i vogël ka rëndësi”, shprehet znj.Peters mbi impaktin negativ që mos autenticiteti i Twitterit i ka dhënë asaj.

Janquell Peters, kandidatja për kongres e partisë demokratike.
Burimi: Ballotpedia

Një zëdhënës i Twitterit thotë për CNN Business se “ne po marrim masa për ta rregulluar këtë problem e të implementojmë një sistem të sigurt për autenticitetin e personaliteteve në platformën tonë virtuale”.

Ndërkohë djaloshi 17-vjeçar shprehet se “nëse ai mund të bëjë kaq gjë, me aftësitë e tij bazike në kompjuter, imagjinoni se çfarë mund të bëjë një ekip me ekspertë të informatikës”. /CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë