Gazeta Si - Dy persona janë arrestuar në Kukës, pasi kanë ndihmuar një 25-vjeçar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Kukësi në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe.
Policia thotë se 25-vjeçari mbahet peng në Francë, nga disa shtetas nga Vendet e Treta, të cilët kërkojnë një shumë parash për ta liruar.
Si pasojë, vëllai i të riut ka bërë denoncimin në polici, duke deklaruar se ata i kanë kërkuar 24 000 paund për ta liruar.
"Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Garanti”, u bë ndalimi i shtetasve: Sh. H., 26 vjeç, banues në fshatin Muholaj dhe A. E., 31 vjeç, banues në Kukës, për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar shtetasin A. S., 25 vjeç, banues në Kukës, për të kaluar në mënyrën të paligjshme kufirin nga Kukësi në Belgjikë dhe më pas në Francë, me destinacion final Britaninë e Madhe. Në bashkëpunim me Interpolin dhe oficerin e kontaktit në Francë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.
Strukturat hetimore të DVP Kukës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Interpol Tiranën, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë ngushtësisht me Policinë franceze dhe me Interpol Lionin, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për të dokumentuar nëse 2 shtetasit e arrestuar në Kukës, që ndihmuan shtetasin A. S., për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, nga Shqipëria në Francë, kanë bashkëpunuar apo jo me shtetasit që kanë marrë peng 25-vjeçarin, në Francë”, tha policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.