Arsim

Nis viti i ri akademik, protestë dhe bojkot te Mjekësia kundër ligjit që i mban 5 vite në Shqipëri

Në të gjitha universitetet e vendit nisi sot viti i ri akademik 2023-2024.

Rreth 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve në të gjithë vendin.

Regjistrimi i studentëve këtë vit u zhvillua në dy raunde. Raundi i parë u zhvillua nga data 29 gusht deri në 11 shtator, ndërsa raundi i dytë deri në 21 shtator.

Regjistrimi u krye online për dy raundet e para dhe në përfundim të tyre, në programet e studimit ku mbetën kuota të lira pranimi, kandidatët që aplikuan në U-Albania u regjistruan drejtpërdrejtë në universitete deri në plotësimin e të gjitha kuotave.

Në Universitetin e Mjekësisë janë plotësuar kuotat prej 450 studentë, mëgjithëse studentët e viteve të ndryshëm kanë paralajmëruar bojkot dhe protesta për shkak të ligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri 5 vite pas përfundimit të studimeve.

Nga ana tjetër,  Universiteti Bujqësor i Tiranës, këtë vit ka arritur të marrë më shumë studentë. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit në Universitetin Bujqësor nuk rrezikoi mbylljen e asnjë dege studimi sikurse ka ndodhur me disa universitete të rretheve.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu iu drejtuar me një mesazh urimi studentëve dhe pedagogëve.

“Sot nis një kapitull i ri në jetën e mbi 121 mijë studentëve në universitetet tona. Për mbi 20 mijë prej studentëve, ky është viti i parë. Kalimi nga gjimnazi në universitet shoqërohet me kaq shumë ndryshime, nis një etapë e re e jetës”, tha Manastirliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë