Libra

Nis ‘Tetori i librit’, për herë të parë do të bëhet një indeksim i lexueshmërisë në vend

Në ambientet e Piramidës me prezencë të botuesve, nxënësve të shkollave e shkrimtarëve, Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, shpallën “Tetorin e librit”.

Motoja e këtij viti është “Fjalë pas fjale”, ku gjatë tetorit do ketë aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrjen e autorëve e më gjerë.

Përgjatë këtij muaji do të bëhet edhe një indeksim zyrtar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për numrin e lexuesve në vend.

“Tetori është konceptuar si një maratonë aktivitetesh ku do të flasim jo vetëm për rëndësinë e fjalës, jo vetëm do të ketë konferenca dhe forume, por do të ketë autorë të rëndësishëm edhe të huaj që do të vijnë dhe do të bëhen pjesë e diskutimeve publike. Ne do të bëjmë për herë të parë një indeksim të lexueshmërisë në vend, do të jetë një indeksim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe rezultatet e tij do të jepen në fund të tetorit”, u shpreh Alda Bardhyli, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në fjalën e saj gjatë hapjes së “Tetorit të librit”.

E pranishme në çeljen e “Tetorit të librit”, ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se libri në vendin tonë ka ndjekur problematikat e trendeve botërore, siç ka ndikuar teknologjia në reduktimin e leximit.

“Patjetër që nuk flasim vetëm me fjalë, por duhet të flasim dhe me numra. Duhet të kuptojmë trendin për të ndërmarrë dhe politikat e duhura. Libri sot në Shqipëri patjetër që ka ndjekur problematikat e trendeve botërore. Siç ka ndikuar teknologjia në reduktimin e leximit por ne edhe këtë tetor patjetër që fokusin e kemi në sensibilizimin dhe leximin e sa më shumë librave”, u shpreh ministrja Margariti.

Të pranishëm në hapjen e këtij muaji leximi ishin edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha, shkrimtari Besnik Mustafaj, botues, shkrimtarë, nxënës, lexues.

Të hënën te Piramida në Tiranë u bë dhe prezantimi i kalendarit të aktiviteteve, që do të mbahen përgjatë këtij muaji kushtuar librit dhe leximit, ku një pjesë e tyre do të zhvillohen edhe në qytete të tjera të vendit.

Jo vetëm rritja e numrit të lexuesve, por edhe sjellja e një letërsie sa më cilësore është synimi i të gjithë aktiviteteve gjatë “Tetorit të librit”.

“Fjalët lëvizin zemrat, na bëjnë më të lirë, fjalët i gjejmë në libra dhe vetëm përmes librit dhe leximit mund të kemi një shoqëri e një vend më të mirë nesër”, shkroi QKLL në faqen e saj në rrjete sociale, duke ftuar që përgjatë këtij tetori të librit, t’u bashkohen aktiviteteve të tyre sa më shumë dashamirës të librit.

Më 4 tetor, për herë të parë Panairi i Librit të Frankfurtit do të ketë një prezantim në rajon, duke zgjedhur Shqipërinë.

Kjo hapësirë e rëndësishme e librit botëror, ku kryqëzohen ngjarjet më të mëdha letrare, editoria, dhe autorët do të sjellë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, një ekspozitë me botime nga letërsia gjermane, në kuadër të tetorit të librit, por dhe tetorit gjerman, si një komunikim kulturash.

Në vijim sipas programit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit janë të tjera aktivitete, ku një pjesë e tyre vijojnë në qytetet Berat, Durrës, Korçë, Pogradec, Elbasan dhe Laç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë