Gazeta “SI”- Festivali i Këngës në RTSH nis sonte edicionin e tij të 64-t, duke shënuar edhe një tjetër kapitull në historinë e ngjarjes më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare.
Festivali do të çelet më 17 dhjetor, në orën 21:00, në Pallatin e Kongreseve dhe do të vijojë deri më 20 dhjetor, me katër netë të ndara sipas një strukture tashmë të konsoliduar.
Nën drejtimin artistik të Elhaida Danit, skenar të Koloreto Cukalit dhe nën moderimin e Arilena Aras dhe Salsano Rrapit, ky edicion përfshin një përzierje artistësh të afirmuar, rikthime pas disa vitesh mungesë, si edhe emra të rinj që synojnë të prezantohen për herë të parë në skenën e festivalit.
Në listën e konkurrentëve bëjnë pjesë emra të njohur për publikun si Fifi dhe Tiri Gjoci, Alis, Vedat Ademi, Evi Reçi, Erik Lloshi, Kamela Islamaj, si dhe grupi 2 Farm. Krahas tyre, festivali sjell edhe prurje të reja, duke ruajtur traditën e hapjes së hapësirave për talente të rinj. Një nga elementët që ka tërhequr vëmendje këtë vit është edhe pjesëmarrja e aktorit Erand Sojli, i cili do të garojë si këngëtar.

Dy netët e para të Festivalit të Këngës do të jenë konkurruese, ku të gjithë artistët do të interpretojnë këngët e tyre në garë. Nata e tretë i është kushtuar Nostalgjisë, duke rikthyer në skenë këngë dhe interpretime të njohura nga edicionet e kaluara, ndërsa nata e katërt do të jetë Finalja e Madhe, ku do të shpallet edhe fituesi i edicionit të 64-t.
Edicioni i këtij viti zhvillohet nën moton “Neo Albania Future”, duke synuar një qasje më moderne si në aspektin muzikor, ashtu edhe në atë skenik. Organizatorët kanë bërë të ditur se artistët nuk do të vlerësohen vetëm për interpretimin vokal, por edhe për performancën në skenë.
Përveç konkurrentëve, gjatë katër netëve të festivalit janë parashikuar edhe performanca nga të ftuar specialë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Mes tyre përmendet prania e Tommy Cash, rikthimi në skenën e festivalit i grupit Shkodra Elektronike, si dhe një performancë nga Bleona Qereti, e cila shënon 30-vjetorin e këngës së saj të parë në Festivalin e Këngës, “Lërmëni”. Po ashtu, në skenë do të ngjitet edhe tenori Ramë Lahaj, kantautori Vlashent Sata, si dhe të tjerë të ftuar, emrat e të cilëve do të bëhen të ditur gjatë netëve të festivalit.

Festivali i Këngës në RTSH mbetet eventi përmes të cilit përzgjidhet përfaqësuesi i Shqipërisë në Konkursin Evropian të Këngës “Eurovision”. Vitin e kaluar, Shqipëria u përfaqësua nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




