Politike

Nis rinumërimi i votave për Tiranën. Çfarë mund të ndryshojë?

Nga Gazeta ‘Si’- 1 282 kuti votimi të Tiranës do të kalojnë sërish ‘në sitë’.

Në procesin e rinumërimit nuk do hapen vetëm kutitë që i përkasin bashkisë së Vorës dhe njësisë 10, ku u aplikua votimi elektronik si dhe votat nga diaspora. Erald Kapri i partisë Mundësia dhe Ilir Alimehmeti i PD janë duke ndjekur nga afër procesin.

Procesi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të diasporës.

PS, PD Mundësia dhe Shqipëria Bëhet do të kenë vëzhgues për të monitoruar rinumërimin, ndërkohë që Lëvizja Bashkë e Arlind Qorrit nuk u lejua nga kryekomisioneri Ilirjan Celibashi me argumentin se nuk është palë interesi në këtë proces.

A mund të ndryshojë diçka?

I vetmi mandat që mund të vihet në dyshim, është deputeti i dytë i partisë “Mundësia”, i cili nëse e humbet i kalon PD-së, dhe bëhet me 14 deputetë.

Që kjo të ndodhë, duhet që nga rinumërimi i votave, të dalin 1200 vota në favor të PD-së ose 117 vota më pak për partinë e Agron Shehajt. Nëse këto vota ‘gjenden’, në parlament nuk hyn Erald Kapri, por Ilir Alimehmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë