Politike

Reforma zgjedhore rinis punën të premten, Gjiknuri dhe Alibeaj takohen me përfaqësues të OSBE   

Partia Socialiste ka filluar punën për reformën zgjedhore, duke ecur me parimin se për të kaluar ndryshimet voliten vetëm 84 vota dhe jo një konsensus më i gjerë.

Kjo ka bërë që komisioni për reformën të rindezë punën duke pasur si bashkëkryetar Enkelejd Alibeajn si përfaqësues të PD-së zyrtare, dhe bashkë me të edhe numrat për të arritur kuorumin edhe pse grupi Basha është në minorancë numrash në Kuvend.

Një ditë pas letrës që dy bashkëkryetarët i nisën OSBE, Damian Gjiknuri dhe Enkeleid Alibeaj kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e kësaj zyre.

“Takova sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri me të cilët diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

 I falenderova për mbështetjen e deritanishme dhe për gatishmërinë për të vazhduar këtë angazhim edhe më tej, përmes ekspertizës më të mirë nga ODIHR, e cila do të ndihmojë komisionin për të arritur zgjidhjet e duhura teknike në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve”, thuhet në njoftimin zyrtare të përcjellë nga Gjiknuri.

Pastaj përfaqësuesit e OSBE takuan edhe Enkelejd Alibeajn. Grupi parlamentar i drejtuar nga Gazment Bardhi prej kohësh ka pamundësuar punime normale në Kuvend me qëllim përfaqësimin si bashkëkryetar në komisionin e reformës. Lëvizjet e fundit Alibeaj-Gjiknuri të konfirmuara një ditë më parë edhe nga Lulzim Basha tregojnë se komisioni për reformën e ka filluar punën, pavarësisht rrëmujës në Kuvend nga e cila po përfitojnë vetëm  Basha dhe Rama.

Ambasadorja në detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, pas takimeve të sotme me Damian Gjiknurin dhe Enkelejd Alibeajn për Reformën Zgjedhore, ka bërë një postim në rrjetet sociale. Ajo shkruan se mirëpret nisjen e punës për Reformën Zgjedhore.

“Takova sot bashkëkryetarët e komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri dhe Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga OSBE-ODIHR. Vijojmë takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme“, - shkruan Paszstory.

Pas takimit ka reaguar edhe Enkelejd Alibeaj, duke u shprehur se Reforma Zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike.

“Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri, Clarisse Pasztory, së bashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, që mbetet jetik për demokracinë e vendit.

Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’u garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.

Gjithashtu, e falenderova znj.Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore”, - shprehet Alibeajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë