Lajme

Nis me probleme votimi, pajisjet elektronike nuk punojnë në 230 qendra

Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote janë thirrur në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.  Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër.

Megjithatë, kontrolli i ri i kartave biometrike ka sjellë probleme në një sërë qëndrash votimi, pasi pajisjet për identifikimin elektronik nuk po funksionojnë në disa qarqe si Durrësi, Fieri apo Saranda, pasi në disa raste operatorëve nuk u është dhënë kodi. 

Nga 5199 Qendra Votimi, probleme me pajisjen elektronike janë shfaqur në 230 qendra, ku votimi është anuluar përkohësisht.

Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxhaj tha se në disa zona të thella nuk ka pasur operatorë për paisjen elektronike, kjo edhe për shkak të infrastrukturës së vështirë

“Skemi patur asnjë problem, në pjesën e shpërndarjes së bazës materiale nuk është konstatuar asnjë problematike. Ka patur disa qendra votimi që skanë qenë të paisura me operator këto janë qendra votimi në zona të thella ku infrastruktura ka qenë e vështirë. Ska pasur operatorë për paisjen elektronike.  Por megjithatë ska pasur probleme. Janë rreth 100 qendra votimit pa operatorë dhe ka filluar votimi si gjithmonë.

Deri tani ka patur disa problematika në disa qendra. Rreth 230 qendra ka patur probleme edhe për shkak të presionit apo për shkak të mosmarrjes së tyre pjesë në trajnime për përdorimin e paisjes elektronike. Po merren masa që të zgjidhen.

Ska patur problematika me kamerat në qendrat e votimit. Edhe kur ska energji elektrike ofrojnë monitorim edhe gjatë asaj periudhe”, tha ajo.

Edhe në Qerret, janë hasur disa vështirësi me disa qytetarë për marrjen e shenjave të gishtave, kryesisht ata që punojnë në ndërtim.

Në Durrës, në një sërë qendrash votimit ku nuk funksionon pajisja biometrike po bëhet votimi manualisht për të mos u ndërprerë votimi. Disa komisionerë janë ndërruar në Qendrat e Votimit në Durrës, pasi ka pasur një numër të madh komisionerësh të ndërruar nga forcat politike kryesisht në qendrat e votimit në fshatra.

Në qendrën e votimit në Shkollën Petro Sota, në Sarandë janë hasur probleme me pajisjen që bën identifikimin elektronik. Pavarësisht këtij probleme, procesi  ka vijuar me regjistrimin manual të votuesve.

Edhe në qendrën e votimit 4662/2 në kopshtin nr 1 Sarandë, nuk punon identifikimi biometrik i qytetarëve. Pajisja identifikon kartën e identitetit, por nuk punon versioni i identifikimit të gishtit.

Në Fier në shkollën “Pinellopi Pirro” KZAZ 59 pajisja e identifikimti elektronik pa shkaktuar po ashtu radhë në qendrat e votimit 30131 dhe 3013 janë në kat të dytë, ku njohja e kartave po bëhet në mënyrë të ngadaltë ose nuk i printon në mënyrë të qartë të dhënat e qytetarëve.

Mësohet se një problem teknik ka ndodhur në Korçë, pasi në qendrën e votimit e vendosur në Gjimnazin “Themistokli Gërmenji” është prishur pajisja e identifikimit biometrik.

Ndërkohë në fshatin Trestenik në Devoll ende nuk ka nisur votimi, pasi nuk ka shkuar operatori.

Probleme me identifikimin biometrik të qytetarëve është hasur edhe në Peqin. Mësohet se në ato qendra votimi ku nuk punon pajisja e identifikimit biometrik ka vazhduar identifikimi manual i tyre.

Në Peqin në KZAZ 44 nuk janë paraqitur disa anëtarë të komisioneve të qendra të votimit dhe disa operatorët që menaxhojnë aparaturat e kartës së identitetit  dhe shenjës së gishtit. Nuk është akoma e qartë në sa qendra votimi, pasi janë ende duke mbledhur informacion.

Në Devoll disa komisionerë nga të tria partitë nuk janë paraqitur në sekondat e fundit dhe po zëvendësohen.

Edhe në Ersekë qendrat e votimit janë hapur, gjithçka është në rregull me materialet zgjedhore ndërkohë që pritet një komunikim me kompaninë përgjegjëse lidhur me identifikimin biometrik.

Edhe në Klos,Mat dhe Bulqizë janë hapur të gjitha qendrat e votimit .Ndërkohë ka ndodhur një problem në disa qendra votimi në Mat pasi ka vështirësi në përdorimin e pajisjeve elektronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë