Gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë miratuar me 11 vota pro projekt-aktet për emërimin e 8 prokurorëve të SPAK.
Tetë anëtarët e “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK), do të betohen para presidentit Ilir Meta më 19 dhjetor.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në mbledhjen e ditës së sotme, emëroi me 11 vota Altin Dumanin, Arben Krajën, Behar Dibrën, Edvin Kondillin, Elida Celami (Kaçkini), Ened Nakuçin, Enkeleda Millonai, Klodian Braho, për të qenë anëtarë të kësaj strukture.
Anëtarët e SPAK-ut do të kenë një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë emërimi.
Pas emërimit të 8 anëtarëve të parë të SPAK, KLP ka hapur garën për drejtuesin e përkohshëm kësaj strukture, e cila do të ketë si fokus hetimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe krimin e organizuar.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi se afati për të zgjedhur drejtuesin e përkohshëm të SPAK është 15 ditë, duke nisur nga kjo e hënë.
Për të zgjedhur drejtuesin e SPAK, Ibrahimi ka propozuar që çdo anëtar i KLP-së duhet të votojë duke shpjeguar pikëzimin e tij për çdo kandidat në një formular pikëzimi.
Prokurorët e SPAK mund të hetojnë që nga presidenti, kryeministri, ministri, deputetët e deri tek drejtuesit dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të tjera në varësi të qeverisë ose jo.
Kjo strukturë do të ketë ndihmën e një strukture tjetër hetimore që është Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH), anëtarët e të cilit janë hetuesit dhe oficerë të Policisë Gjyqësore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.