Trashëgimi

Nis Java Kulturore Italiane, aktivitete në Tiranë e qytete të tjera

Dashuria ndjehet në ajër dhe Java Kulturore Italiane është këtu! Me këtë moto nisi sot Java e Kulturës Italiane që përkon me festën e Republikës Italiane.

Nga data 2 deri më 8 qershor, më e mira e kulturës italiane do të frymojë jo vetëm në kryeqytet por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Nëpërmjet aktiviteteve të larmishme do të kremtohet kjo kulturë kaq e pasur në çdo fushë e disiplinë të saj dhe për të cilën gjithë bota është frymëzuar.

Eventi i ditës së sotme, me rastin e Festës së Republikës Italiane, do të zhvillohet pranë sitit arkeologjik të Butrintit, për të përkujtuar njëqindvjetorin e misionit të parë arkeologjik të Luigi Ugolini-t.

Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe me Bashkinë e Sarandës sjellin në Javën Italiane spektaklin e kërcimit “Opera e Puccinit. Voci di donne”, një prodhim i ri nga Artemis Danza.

Shfaqja i kushtohet katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Giacomo Puccini: Tosca, Madama Butterfly, Mimì dhe Turandot, në njëqindvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Kuptimi i muzikës Pucciniane kalon nga analiza e marrëdhënies së tij të thellë me botën femërore. Një mesazh i qartë madje edhe nga titujt e zgjedhur për veprat e tij më të famshme. Një kaleidoskop personalitetesh të ndryshme, një univers plot aspekte dhe ndjeshmëri.

Në katër skenat që përbëjnë “Puccini’s Opera”, gjejmë leximin personal të Casadeit lidhur me temën femërore, të vendosur në qendër të një procesi riinterpretimi koreografik, vizual dhe muzikor. Dashuria tragjike, dashuria e penguar dhe e kundërshtuar, dashuria mizore që asgjëson, epshi për zotërim që çon në shkatërrim, jeton në fytyrat, trupat, gjestet e artisteve dhe nuk resht së na bëri të reflektojmë mbi aktualitetin e historive që kanë mallëngjyer publikun e mbarë botës. Krijimi përshkohet nga një atmosferë prekëse, plot tension dhe sugjestion poetik. Partitura orkestrale e Puccinit është në kontrast me tingujt elektronikë të kompozitorëve Luca Vianini dhe Fabio Fiandrini, të cilët ravijëzojnë një hapësirë zanore mbështjellëse dhe nganjëherë apokaliptike. Një kërcim koral, i pasur me impulse dhe pasione, instinktiv dhe herë-herë i egër, që e përdor hapësirën si të ishte vorbull dhe që shfaqet i plotë si simbolikisht, ashtu edhe vizualisht: kërcimet solo të futura brenda kornizash grupi, me një dinamikë të përshpejtuar nga forcat shtytëse, bëjnë që drama dhe pasionet e protagonisteve, të ndjehen fort në trup e në deje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë