Lajme

Nis i qetë procesi i votimit

Që prej orës 07:00 qendrat e votimit janë hapur thuajse në të gjithë vendin, me përjashtim të disa QV-ve, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se janë shfaqur problematika kryesisht në Qarkun e Shkodrës.

Procesi i votimi nisi normalisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë, Fier dhe Korçë. Në Tiranë, mbështetës të opozitës protestuan në njësinë numër tetë kundër këtij procesi, që opozita e cilëson farsë.

Të parët që votuan nga drejtuesit e mazhorancës ishin zv.Kryeministri Erjon Braçe dhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi. Kreu i Kuvendit u pyet nëse me këtë proces, vendi po shkonte drejt rikthimit të diktaturës, Ruçi e hodhi poshtë.

“Nuk ka bir nënë që rikthen komunizmin në këtë vend”, tha Ruçi, duke u bërë apel qytetarëve që të votojnë. Të njëjtën ftesë drejtoi edhe Erjon Braçe.

I gjithë procesi monitorohet nga 150 vazhgues të OSBE/ODIHR, ndërkohë që krahas thirrjeve për bojkot, Partia Demokratike ka shpërndarë edhe vëzhgues pranë qendrave të votimit në disa zona, ku i trembet rritjes fiktive të pjesëmarrjes në zgjedhje.

Policia thotë se për sigurinë e këtyre zgjedhjeve janë angazhuar 7779 efektivë, pjesa më e madhe e të cilëve do të jenë në shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore.

Procesi i pazakontë, ku në 31 bashki Partia Socialiste nuk ka rivalë përballë është pasqyruar gjerësisht në mediat ndërkombëtare. BBC e cilëson procesin “si asnjë tjetër që prej rënies së komunizmit.

“Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një fushatë intensive për këto zgjedhje, pavarësisht se kandidatët e partisë së tij nuk kanë rivalë përballë. Partitë kryesore të opozitës bojktuan dhe nuk njohin këto zgjedhje”, thotë BBC.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë