Drejtësia

Nis hetimi për pasurinë e ish-deputetit socialist Alqi Bllako

Gazeta Si - Përveç procedimit penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion, ndaj Alqi Bllakos ka nisur edhe një hetim pasuror.

Për ish-deputetin e PS, në paraburgim prej disa javësh, SPAK do të kryejë disa verifikime mbi pasurinë e tij.

Sipas informacioneve paraprake,  përveç sekuestrimit të apartamentit në pronësi të babait të ish-deputetit, do të kontrollohen edhe llogaritë e tij bankare.

SPAK po kryen veprime hetimore, ku sipas burimeve, institucioni i akuzës ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë për të verifikuar llogaritë bankare  që mund të ketë Bllako.

Shkresa për të verifikuar pasuritë e Bllakos janë dërguar edhe në institucionet e agjencitë e pronave, për të parë nëse ka pasuri në emër të ish-deputetit dhe familjarëve të tij.

Alqi Bllako u arrestua me urdhër të SPAK më 1 prill 2022.

Pak ditë më parë, ai depozitoi një ankim në Gjykatën e Apelit, ku kërkon pafajësinë për zbutje të masës së sigurisë, “arrest në burg”.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, i mandatuari i PS në zgjedhjet e 25 prillit 2021, akuzohet për procedurën e shpronësimit të tokës arë, ku do të ndërtohej incineratori i Fierit, me sipërfaqe 111 564 m2.

Hetim pasuror është  duke u kryer edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Ndaj tij rëndojnë dy masa arresti me burg për aferën e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

Po ashtu, Koka akuzohet edhe për pastrim parash. Përveç sekuestrimit të kantinës së pijeve alkoolike dhe katër pronave, po verifikohen edhe llogaritë bankare të tij e familjarëve të tij.

Sipas SPAK për aferën e dy inceneratorëve ai ka përfituar në formën e ryshfetit rreth 4.9 milionë euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë