Art dhe Kulture

“Nightbird”, këngëtarja që frymëzoi çdokënd që ndihej i dobët

Vajza me emër arti “Nightbird” (Jane Marczewski) para 8 muajsh i dha një leksion të madh botës së spektaklit dhe të gjithë atyre që po ndiqnin “America Got Talent” (AGT) një nga show-t më të ndjekur dhe më të rëndësishëm në botë.

Edhe pse ajo po kalonte një sëmundje, nga e cila kishte vetëm 2% mundësi të jetonte, ajo performoi me një këngë motivuese me titull “It’s ok”. Më pas, u tërhoq nga spektakli për shkak të shëndetit.

Buzëqeshja, kurajo dhe pasioni i saj për jetën ishin vërtet frymëzuese dhe ngjitëse.  

Por ajo nuk mundi t’i mbijetonte më sëmundjes, duke ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, pasi luftoi prej tre vitesh me guxim me tumorin e tmerrshëm. Metastazat kishin arritur në mushkëri, shpinë dhe mëlçi.

Vajza ishte bërë e njohur për publikun e gjerë gjatë audicionit për “America Got Talent”, me këngën “It’s OK”, një këngë që flet pikërisht për luftën kundër sëmundjes së saj.

Në gusht të vitit 2021, Jane kishte vendosur të largohej nga konkursi për t’u trajtuar: “Që nga audicioni im, shëndeti im është përkeqësuar dhe lufta kundër kancerit dhe kërkon gjithë energjinë dhe vëmendjen time. Më vjen shumë keq të njoftoj se nuk do të mund të vazhdoj këtë sezon të “America Got Talent”. Jo gjithmonë jeta u jep afat atyre që e meritojnë, por ne e dinim tashmë”. Këngëtarja i ishte dorëzuar sëmundjes pas një beteje që vazhdon që nga viti 2017.

Një betejë e pafund

Në vitin 2017, Jane “Nightbirde” Marczewski zbuloi se kishte kancer malinj të gjirit. Më pas, në vitin 2019, pas disa kontrolleve, një mjek i tha asaj se kishte vetëm tre muaj jetë. Por Jane nuk është dorëzuar kurrë dhe mbi të gjitha ka refuzuar gjithmonë të lejojë që sëmundja ta mundë atë: “Është e rëndësishme që të gjithë ta dinë se jam shumë më tepër se gjërat e këqija që më ndodhin”.

Fatkeqësisht, sëmundja fitoi dhe fansat e saj me siguri do ta kujtojnë atë përgjithmonë falë zërit të saj të shkëlqyer dhe forcës së saj të habitshme të mendjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë