Lajme

Ngritja e SPAK-ut, Soreca i bën apel prokurorëve të aplikojnë

Pak ditë nga përfundimi i afatit për aplikimet për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, ambasadori i BE-së në Tiranë ka një apel për prokurorët. Ai ka kërkuar që që këta të fundit të aplikojnë për të qenë pjesë e kësaj strukture të rëndësishme.

Në një status në Twitter, Luigi Soreca thotë se është kohë e rëndësishme për të dhënë kontribut në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“U bëjmë thirrje prokurorëve të aplikojnë para datës 7 shkurt për tu bërë anëtarë të SPAK. Kohë e rëndësishme për të dhënë kontributin tuaj themelor në luftën kundër #korrupsionit & #krimittëorganizuar në Shqipëri dhe të jepni drejtësi për gjithë shqiptarët.#BE-ja është përkrah jush:, shkruan Soreca.

Gara për anëtar të institucionit që i përngjan për nga funksioni FBI-së amerikane është e hapur deri më 7 shkurt dhe deri më tani janë regjistruar 10 kandidatura, duke përfshirë edhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Behar Dibra i cili ka dorëzuar sot të gjithë dokumentacionin.

Të parët që u regjistruan si kandidatë për SPAK ishin prokurorët Klodian Braho, i cili njihet për hetimin e dosjes së ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ish-deputetit Mark Frroku dhe Besnik Muçi, i cili aktualisht është prokuror pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Ata u pasuan nga prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Arben Kraja, dy prokurorët e Krimeve të Rënda Vladimir Mara e Dritan Prençi, prokurori i Tiranës Shkëlzen Cena dhe Doloreza Musabelliu, Eugen Beci e Anton Martini.

Në total trupa e prokurorëve të SPAK do të ketë 15 anëtarë dhe për këtë strukturë ka një pritshmëri më të lartë në publik, pasi do të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë politikanët dhe zyrtarët e lartë. Afati i fundit për të aplikuar është data 7 shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë