Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit është edhe një meritë e ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila ka investuar shumë që me nisjen e procesit të reformës në dreejtësi.
Dhe pikërisht pas formimit të djeshëm të KLP-së dhe sot të KLGJ-së, ambasada amerikane ka përgëzuar prokurorët dhe gjykatësit që sipas saj zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë mirëpret krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë”, thotë Ambasada e SHBA.
Në reagimin e saj gjithashtu theksohet se tashmë aktorët kombëtarë duhet të konsolidojnë përparimin e reformës në drejtësi, pasi vetëm “një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë. Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë”, theksohet në reagimin e ambasadës amerikane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




