Bota

Ngrirja e fondeve, Universiteti i Harvardit padit administratën e Trumpit

Gazeta Si – Universiteti i Harvardit në shtetin e Masaçusetsit në SHBA, ka ngritur një padi federale kundër administratës së presidentit Donald Trump, duke kundërshtuar urdhrin për të ngrirë 2.2 miliardë dollarë fonde federale, vendim që prek edhe institucionin arsimor.

Padia u paraqit të hënën, pas përshkallëzimit të një konflikti mbi kërkesat e qeverisë për të kufizuar programet e diversitetit dhe për të rishikuar politikat akademike të institucionit.

Harvard e cilëson këtë veprim si një përpjekje për të ushtruar presion politik mbi vendimmarrjen e brendshme të universitetit.

Presidenti në detyrë i Harvardit, Alan M. Garber, paralajmëroi për ndikimin e rëndë të ndërhyrjes qeveritare në kërkime të rëndësishme shkencore.

Sipas tij, ngrirja e fondeve prek studime jetike si ato për kancerin pediatrik, sëmundjen e Alzheimerit dhe Parkinsonin.

Në letrën drejtuar komunitetit universitar, Garber theksoi se “pasojat e tejkalimit të qeverisë do të jenë të rënda dhe afatgjata”.

Shtëpia e Bardhë, në një deklaratë zyrtare, justifikoi vendimin duke kritikuar menaxhimin financiar të Harvardit dhe përfitimet që ai merr nga fondet publike.

Zëdhënësi Harrison Field u shpreh se ndihma federale për universitete si Harvardi, të cilat “pasurojnë burokratët e tyre me taksat e qytetarëve amerikanë në vështirësi”, duhet të rishikohet. Ai theksoi se fondet publike janë një privilegj dhe jo një e drejtë.

Përveç financimit, administrata Trump ka kërcënuar edhe me kufizimin e pranimit të studentëve ndërkombëtarë në Harvard, si dhe ka kërkuar auditime të jashtme të kurrikulës dhe politikave të pranimit.

Universiteti i ka refuzuar këto kërkesa në mënyrë të prerë, duke deklaruar se nuk do të lejojë ndërhyrje në pavarësinë e tij akademike dhe nuk do të heqë dorë nga të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Harvard nuk është i vetmi institucion i prekur nga këto masa. Administrata ka pezulluar gjithashtu fondet për universitete të tjera si Cornell, Brown dhe Columbia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë