Lajme

Ngrica dhe dëborë në rrugë. Disa akse nuk kalohen pa zinxhirë

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën një pasqyrë të situatës në vend, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe akullit.

Bëhet me dije se në të gjitha akset kryesore të vendit që ka pasur reshje bore dhe sipas ARRSH- ka nisur kriposja dhe pastrimi i rrugës nga bora.

Rrugët që rekomandohet që kalimi të bëhet me zinxhir janë: Qarku i Korçës (Boboshticë-Dardhë, Korçë Voskopojë, Korçë-Ersekë, Liqenas-Doganë Goricë), Qarku i Kukësit (Lusen-Domej).

Në Rajonin Verior Shkodër: Reshje bore ka pasur në Qarqet Kukës, Dibër dhe Shkodër. Në akset e Tropojës ka reshje të dobëta bore. Në akset e Dibrës, Kuben-Vasie, vazhdon puna për pastrimin dhe kriposjen.

Në aksin Ura e Cerenecit-Stëblevë, dëbora arrin trashësinë 15 cm. Po punohet me mjetet borëpastruese për pastrimin dhe kriposjen. Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë.
Në akset e Kukësit, Kukës-Bushtricë, Kukës-Ura e Zapodit, po punohet për pastrim dhe kriposje. Qarkullimi kryhet pa probleme.

Në Rajonin Qendror Tiranë. Në akset e Dajtit ka reshje të pakta bore dhe prezencë akulli.
Në segmentet fundore të Qafë Priskë-Qafë Mollë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve. Në aksin Librazhd-Stëblevë, në segmentin fundor të tij në Lunik- Stëblevë, ka rreth 15 cm borë. Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër reshjet e rëna gjatë natës, kanë bërë që edhe pas punës së kontraktorëve për pastrimin dhe kriposje, akset e Qarkut të Korçës të qarkullohen me zinxhirë.

Përdoruesit e rrugës të tregohen të kujdesshëm, të respektojnë udhëzimet e Policisë së Qarkullimit Rrugor, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirë në rrugët për të cilat njoftuam që qarkullimi kryhet me zinxhirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë