Ka ndodhur

Ngordhin rreth 500 mijë pula në tre ferma në Durrës. Ministria e Bujqësisë: Nuk është grip shpendësh

Gazeta Si - Rreth 500 mijë pula kanë ngordhur në tri prej pularive më të mëdha që mbulojnë nevojat për vezë dhe mish të pulës ë vend. Në tri ferma të rritjes së shpendëve në Durrës ka pasur ngordhje masive të pulave si pasojë e një sëmundjeje infektive që i ka prekur ato. Sëmundja është konstatuar dy javët e fundit. Fillimisht u dyshua për grip shpendësh, por gjatë ditës Ministria e Bujqësisë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Institutit për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë ka sqaruar se nuk ka asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripit të shpendëve) në Shqipëri deri më tani.

“Pas analizave të kryera në tre data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve. Rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët”, tha Ministria.

Sipas Top Channel, paraprakisht ishte deklaruar se bëhej fjalë për laringo-trakeit, një sëmundje infektive me përhapje të shpejtë dhe se shpezët e ngordhura janë asgjësuar në krematoriumet e pularive, ndërsa po punohet për t’i mbajtur të izoluara këto vatra.

Në njoftimin e Ministrisë së Bujqësisë githashtu thuhet se "rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme. Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situate episodike".

Analiza të vazhdueshme po kryhen për të mbajtur nën kontroll situatën. Në Durrës, autoritetet përgjegjëse të Bujqësisë dhe AKU-së bëjnë me dije, jo zyrtarisht, se nuk ka fakte për cenimin e shëndetit publik.

Sipas tyre, bateritë e pulave të infektuara janë asgjësuar dhe në treg nuk rezulton të ketë produkte, vezë dhe mish të tyre.

Ndërkohë ka dyshime se edhe në qarkun e Korçës ka prekje të gripit të shpendëve dhe është një rast që është çuar për analiza, thotë Adriatik Skënderasi, përgjegjës i sektorit veterinar pranë Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë në Korçë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë