Policia e Shteti ka reaguar për ngjarjet në Bularat, dhe bën me dije se ka shkuar në 12 numri i të arrestuarve për thirrjet raciste.
Në një njoftim për mediat, policia njofton: “Si rezultat i kontrolleve, nuk u është lejuar hyrja në Shqipëri për 44 qytetarë grekë, të cilët janë kthyer mbrapa, pasi disponoheshin të dhëna se ata mund të krijonin incidente në fshatin Bularat. Gjithashtu, gjatë verifikimeve janë evidentuar dhe proceduar penalisht për nxitje të urrejtjes, dy shtetas, të cilët mbanin me vete banderola dhe uniforma që nxisnin urrejtjen”.
Policia e Shtetit nënvizon se për të garantuar mbarëvajtjen e ceremonisë mortore, si dhe shmangjen e incidenteve të mundshme që mund të lindnin nga prezenca e personave me prirje ekstremiste, mori një sërë masash parandaluese.
“Gjatë ceremonisë mortore, janë evidentuar elemente që kanë shpërdorur ceremoninë për qëllime propagandistike ekstremiste. Në përfundim të ceremonisë nga ana e Policisë janë shoqëruar në ambjentet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër 12 shtetas. Ndaj personave të shoqeruar po kryhen veprimet e nevojshme proceduriale nga Prokuroria, – vijon komunikata e policisë. – Theksojmë faktin mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke ka pasur një bashkëpunim mjaft të mirë për parandalimin e hyrjes së personave me prirje ekstremiste. Policia Greke kishte marrë masa shtesë në Kakavijë dhe është treguar bashkëpunuese me Policinë Kufitare të Kakavijës”, – përfundon njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




