Rend dhe Ligj

Ngjarjet kriminale, Gledis Nano i kërkon llogari drejtuesve të policive në qarqe

Pas ngjarjeve të fundit kriminale, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka mbledhur në një takim pune këtë të mërkurë drejtuesit e policive në qarqe dhe drejtorët e departamenteve.

Gjatë takimit, Nano ka kërkuar që intensifikohen kontrollet në territor dhe të ushtrohet kontroll në varreza dhe servise makinash, ku mbahen të fshehura apo dërgohen makinat e vjedhura, që më pas bëhen pjesë e ngjarjeve kriminale.

Nano ka kërkuar ndër të tjera, bashkëpunim dhe koordinim më të mirë mes strukturave policore që operojnë në pikat e kalimit kufitar, ato në terren e me shërbimet inteligjente për marrjen në kohë të informacioneve për personat me precedent kriminal që kthehen nga jashtë shtetit dhe mbajtjen nën kontroll të tyre, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Gjatë mbledhjes, e para për këtë vit 2022, drejtorët e qarqeve kanë raportuar për punën e tyre të bërë gjatë vitit të kaluar, por ndërkohë janë dhënë udhëzimet e duhura nga Nano lidhur me garantimin e jetës së qytetarëve dhe kapjen e autorëve të atentateve të fundit të ndodhura në vend, që kanë mbetur të pazbardhura.

Kjo mbledhje vjen pas disa ngjarjeve që tronditën vendin sdomos në këtë fillim viti. Një ditë më parë, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, nga një makinë u qëllua me breshëri arme në drejtim të një lokali, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë 1 person dhe u plagosën 4 të tjerë.

Ndërsa më 3 janar në spitalin e Lezhës u shfaq me tre plagë plumbi Vinçens Piroli, i cili tha se u plagos në Shkodër. Ai dyshohet se është vrasës me pagesë, ndërsa ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje në Ulqin të Malit të Zi.

Edhe viti 2021 nuk u mbyll i qetë nga kriminelët, ku një kamion me 119 kg kokainë u kap në Tiranë në arkat me banane. Është mister fakti se si është e mundur që skaneri s’ka kuptuar asgjë edhe pse brenda në kamion ishin 100 pako kokainë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë