Nga Gazeta Si- “K’cimi i Tropojës” është pjesë e UNESCO. Pas vlerësimit nga Organizimi i Vlerësimit të UNESCO-s gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Në faqen zyrtare të UNESCO-s shkruhet se ky kërcim ngjall një ndjenjë të identitetit dhe përkatësisë së përbashkët duke promovuar lidhjet sociale, lirinë dhe tolerancën.
“Në Shqipëri, ‘K’cimi i Tropojës’ është një valle popullore, festive e kryer në festime spontane ose gjatë ceremonive tradicionale si dasma, ditëlindje dhe festime fshati. Zakonisht i shoqëruar me daulle, k’cimi kryhet nga burra, gra dhe fëmijë të të gjitha moshave, dhe zakonisht në çifte, me partnerët që ndryshojnë sipas rastit dhe zgjedhjes së kërcimtarëve”, shkruan UNESCO, duke shtuar se njerëzit kërcejnë ballë për ballë, pa u prekur dhe duke ngritur e ulur krahët ndërsa lëvizin rreth njëri-tjetrit.
Në shpjegimin për këtë valle, UNESCO shkruan se, sipas rastit, disa kërcimtarë mund të veshin veshje tradicionale. Gjatë kërcimit, gratë gjithashtu mund të tundin një shami, zakonisht me ngjyrë të kuqe.
Vallja praktikohet tradicionalisht nga tropojanët dhe lidhet me festat e pranverës, peizazhet malore dhe fluturimin e shqiponjave, simbol i forcës dhe i identitetit.
Megjithatë, tani ajo kryhet gjatë gjithë vitit, duke përfshirë njerëz nga gjithë Shqipëria. Grupet e vallëzimit e kërcejnë gjithashtu vallen gjatë festivaleve.
“Në veçanti gjatë festimeve familjare, pleqtë u tregojnë dhe u mësojnë fëmijëve dhe të rinjve vallen”.
Regjistrimi në Listën Përfaqësuese të UNESCO-s ndihmon në promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e mbrojtur atë për brezat e ardhshëm. Riti i shtegtimit të bagëtive, quajtur 'Transumanca' është trashëgimia e fundit që u fut në UNESCO, një vit më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.