Kosova

Gjyqtari serb kërcënim për sigurinë kombëtare, Vjosa Osmani tërheq kërkesën në Kushtetuese

Gazeta Si – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ngërçin e Kuvendit për shkak se gjyqtar raportues i çështjes ishte caktuar serbi Radomir Llaban.

Sipas Osmanit, institucionet e sigurisë kanë mbledhur informacione për veprimtari të rrezikshme për sigurinë kombëtare të Llabanit.

Osmani tha se në interesin e vendit, tërheqja e kërkesës është vendim i domosdoshëm pasi rendi kushtetues nuk mund të mbrohet nga persona që sipas institucioneve të sigurisë e rrezikojnë rendin kushtetues.

“Ju njoftoj se sot në përputhje me ligjin për Gjykatën Kushtetuese, dhe rregulloren e kësaj Gjykatë kam tërhequr kërkesën numër KO215/25, e paraqitur në 22 korrik. Këtë e kam bërë si një reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar, se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare.

Sipas këtyre informatave të cilat në vitet 2021 dhe 2024 po ashtu janë ndarë edhe me Gjykatën Kushtetuese, ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës tha se zgjedhja e këtij gjyqtari, është jo vetëm shqetësues por edhe e rrezikshme, dhe “mund të ketë pasoja të rënda dhe potencialisht të pakthyeshme. Kjo cënon besueshmërisë e gjykatës Kushtetuese dhe krijon rrezikun për krijimin e një precedenti.”

Më tej, Osmani theksoi se kjo nuk lidhet me preferencat e saj personale si presidente për gjyqtarët, por me informacionet zyrtare që institucionet e Kosovës kanë bërë publike ndër vite.

Presidentja Osmani, më 22 korrik, i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese jo vetëm një pezullim të përkohshëm të afatit 30 ditor, por dhe të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese” nga moskonstituimi dhe pasojat juridike të kalimit të këtij afati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë