Rreth dy muaj pas heqjes së çadrës së Cirkut Kombëtar, pasi trualli ku ishte ngritur ju rikthye pronarit, shkarkohet drejtori i këtij institucioni, Ilirjan Gjini.
Shkarkimi i Gjinit u vendos nga Këshilli i Ministrave mbledhjen e së mërkurës.
“Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, dhe të pikës 4, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave vendosi:
Z. Ilirjan Gjini, drejtor i Cirkut Kombëtar, lirohet nga kjo detyrë”, shkruhet në vendim.
Ilirjan Gjini u emërua në këtë detyrë dy vite më parë, më 24 dhjetor të 2019-s, teksa nuk ka ende një emër që mund ta zëvendësojë.
Për ngërçin e krijuar dhe mungesën e një zgjidhjeje konkrete për ta, kryetari i Sindikatës së Artistëve, Julian Kazazi i pyetur më herët nga Gazeta Si, do të fajësonte pikërisht drejtorin e këtij institucioni që sipas tij është një militant partiak.
Pas heqjes së Çadrës, edhe pse Ministria e Kulturës propozoi një ambient të përkohshëm për stërvitje, (palestrën e shkollës “Sinan Tafaj”), artisët nuk e kanë frekuentuar atë ambient për shkak të mungesës së kushteve, duke e cilësuar si një mashtrim të radhës.
Historia e prishjes së Cirkut Kombëtar, ku përmbaruesit dhe artistët e cirkut përplaseshin mes tyre vijoi prej vitesh. Përplasjet nisën që kur Gjykata Administrative me vendim të formës së prerë i kaloi privatit truallin, ku ndodhej Cirku Kombëtar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




