Rend dhe Ligj

Vettingu, shkarkohet Oltion Shehu, zyrtari i parë i policisë

Është shkarkuar nga detyra shefi i Sektorit të Ankesave në SHÇBA, Oltion Shehu, i cili ishte dhe zyrtari i parë që u përball me vetingun nga radhët e policisë.
Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka konstatuar probleme në kriterin e pasurisë, pasi Shehu nuk justifikonte një shumë prej 1.4 milion lekësh.

Për këtë konstatim të komisionit, zyrtari i SHÇBA tha se nga viti 1996-2003 ka punuar pa siguracione, në një bingo ku ka pasur detyrën shef salle, banakier, por edhe kamarier.
Po ashtu, Shehu ka pretenduar se ka pasur dijeni se ishte pa sigurime gjatë kësaj periudhe.
Sipas hetimit, Oltion Shehu rezulton se ka në pronësi një shtëpi dykatëshe në Njësinë nr.8, në kryeqytet, ndërtimin e së cilës nuk e justifikon para komisionit.
Për këtë konstatim Shehu u shpreh se banesa është ndërtuar nga të ardhurat ndër vite.
Oltjon Shehu, ishte personi i parë i listës së zyrtarëve të policisë që iu nënshtrua procesit të vettingut.

Vettingu i shumëdebatuar në Polici
Që në prezantim dhe diskutim të ligjit për vettingun në forcat e rendit, ai pati shumë debate dhe kontestime. Në maj të këtij viti, Parlamenti ndryshoi draftin fillestar, duke ia lënë hetimin e policëve si kompetencë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesa, një institucion në varësi të Ministrisë së Brendshme. Por më parë, vetë zyrtarët e SHÇBA-së do të duhet të kalonin në sitën e komisionit të vettingut. Dhe më pas ky Shërbim do të kryejë vlerësimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, pra punonjësit e nivelit të mesëm drejtues dhe të atyre të nivelit bazë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i pati argumentuar këto ndryshime ligjore me faktin se kjo do të ulte koston financiare dhe se ngarkimi i SHÇBA-së me vlerësimin e punonjësve në fazën e dytë dhe të tretë, pra rreth 12 000 punonjës, i kursen buxhetit të shtetit rreth 260 milionë lekë.
Por ndryshimet u pritën me reagim nga ekspertët e fushës. Kreun e Sindikatës së Policisë së Shtetit, Sadetin Fishta në një prononcim për Gazeta “Si” u shpreh asokohe se ky ndryshim ligjor i miratuar nga Parlamenti nuk do të garantonte një proces të pavarur të verifikimit të punonjësve të uniformave blu.

“Një ligj që del nga Parlamenti dhe që nuk zbatohet ka efekte negative si në organizatën Policore ashtu edhe ne opinionin publik. Ligji i SHÇBA-së i jep mjaft akses kësaj strukture për të kontrolluar verifikuar apo hetuar shkeljet e cilitdo punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës. Besoj se ky ligj e bën mjaft të përgjegjshme dhe autoritare këtë strukturë në duart e Ministrit të Brendshëm për të pastruar policinë e shtetit nga punonjës të inkriminuar. Nuk ka pse t’i mbingarkohet kësaj strukture edhe një ligj tjetër për Vettingun”, do të shpreheh Fishta për Gazetën “Si”.
Sipas tij, ky proces i filtrimit të kandidaturave mund të vihet në dyshim pasi struktura e posaçme është në varësi të ministrit.
“Zbatimi i Vettingut nga SHÇBA, vë në dyshim transparencën e Vettingut ndaj interesit publik dhe organizatës së Policisë, duke monopolizuar e seleksionuar informacionin për nivelin e mesëm e bazë të punonjësve të policisë, duke ia lënë këtë kompetencë Ministrit dhe të strukturës vartëse të tij (SHÇBA-së). Kjo reformë me këto ndryshime nuk mund të quhet e pavarur të paktën për nivelin e mesëm dhe bazë të punonjësve të policisë”, do të pohonte më tej Fishta.
Gjithashtu sipas Fishtës mospërcaktimi i një afati se deri kur do të zgjasë ky proces do të ndikojë pasi, krahas ngarkesave të tjera psikologjike, punonjësve të policisë u shtohet dhe Vettingu, i cili sot ka një fillim por jo mbarim.
Ligji i vettingut në Polici u miratua nga Parlamenti me 76 vota pro, 6 kundër dhe 6 abstenim. Por kjo nismë e qeverisë u kontestua edhe nga ana e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pasi rrëzonte pikërisht ligjin që ai kishte mbrojtur një vit më parë.
Për Xhafajn, institucioni i SHÇBA-së nuk mund të bëjë një filtër të tillë, pasi e para është në varësi të ministrit dhe mund të cenohet pavarësia e procesit dhe e dyta sepse SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë