Gjykata e Korçës ka vendosur masën e arrestit në burg për 45-vjeçarin Aleks Ago, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 15-vjeçar nga një fshat i Devollit.
Ka qenë vetë i mituri, i cili dy ditë më parë së bashku me nënën në praninë e një psikologu, ka denoncuar në Komisariatin e Devollit 45-vjeçarin, duke thënë se ai e ka prekur në disa pjesë të trupit.
Sipas dëshmisë së 15-vjeçarit, ky ka qenë rasti i 3-të i tentativës së Aleks Agos për ta tërhequr pas vetes duke i ofruar lekë.
45-vjeçari u arrestua menjëherë nga policia, ndërkohë ditën e sotme Prokuroria kërkoi masën e arrestit me burg, gjë që u pranua nga Gjykata e Korçës. I dyshuari, banues në Devoll, është i martuar dhe prind i 3 fëmijëve.
I dyshuari Ago e ka mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në këtë situatë. Ai ka thënë se 15-vjeçarin nuk e ka ngacmuar, por pretendon se e ka ndihmuar për shkak se babai i tij ka ndërruar jetë 5 vite me parë.
Ai ka thënë se kanë njohje të largëta familjare dhe duke i ditur problemin, është munduar t’i afrohet për ta ndihmuar qoftë me lekë, apo ushqime. Do të jetë Prokuroria që do të hetojë në vazhdimësi mbi rastin për të zbardhur gjithë ngjarjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




