Ngjarja që tronditi vendin këtë javë që po mbyllet, ishte vrasja e Pashko Ujkës në Shkodër. Por në raportet e policisë nuk mungoi as zbulimi i një ferme kanabisi në Shkodër dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale të një 47-vjeçari me një të mitur në Mat.
Mbrëmjen e 29 nëntorit, ish-kreu i Komunës së Velipojës dhe ish-deputeti i Parlamentit shqiptar, Pashk Ujka humbi jetën në spital pas një atentati me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Vasil Shanto”, pranë Lulishtes te Kisha Ortodokse në qytetin e Shkodrës, rreth orës 18:15.
Ndaj tij është qëlluar me armë më silenciator dhe autori ka shfrytëzuar mungesën e ndriçimit në këtë pjesë të qytetit. Për këtë ngjarje janë arrestuar dy persona dhe dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për çështje borxhi.
Në 1 dhjetor, një 24-vjeçare është denoncuar e zhdukur nga babai i saj në Policinë e Tiranës, ku ka pohuar se vajza e tij ishte kthyer nga Italia në datën 27 nëntor, por nuk kishte shkuar në banesë.
Pas denoncimit, policia tha se ka nisur punën për gjetjen e të resë me iniciale Xh.M.
Në 2 dhjetor, dy punonjës të Policisë së Shtetit janë arrestuar, pasi akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”
Në pranga ka rënë kryekomisari Qetësor Gurra, lektor në Fakultetin e Hetimit të Akademisë së Sigurisë dhe inspektori Dritan Lelaj, polic i qarkullimit rrugor që konkurronte për të marrë gradën nënkomisar.
Dyshohet se Qetësor Gurra ka favorizuar policin e rrugores që të merrte përmes falsifikimit të dokumenteve gradën nënkomisar gjatë procesit të konkurrimit në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.
Një 47-vjeçar me iniciale U.C., banues në Mat, është arrestuar, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë 12 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur dy javë më parë, ndërsa në 1 dhjetor ai ka kanosur të miturën për të mos treguar.
Në 3 dhjetor, një 66-vjeçar u arrestua në Lezhë, pasi iu gjet në banesë një sasi e madhe municionesh. Policia tha se arrestua Shefki Brunga, të cilit në banesë iu gjetën: 6 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kanabis, 930 fishekë, 6 kallëpe lëndë eksplozive C-4, 7 granata difensive, 22 ndezës për granata, 99 kapsolla detonatore, pajisje metalkërkuese, kundërgaz ushtarak, 3 krehra dhe 3 aparate celulare.
Një “shtëpi bari” që përdorej për kultivimin e lëndëve narkotike, është zbuluar nga policia në Shkodër në fshatin Jeran. Kanabisi kultivohej në bodrumin e banesës së pronarit Gjovalin Vuksanaj, 55 vjeç, i cili e kishte përshtatur ambientin, duke vendosur 63 llamba elektrike dhe baza të tjera materiale.
Kanabisi ishte kultiviuar në vazo dhe gjatë aksionit u sekuestruan 139 kg lëndë narkotike dhe 132 fidanë. Policia mundi të arrestonte 42-vjeçaren Mariana Vuksanaj, ndërsa bashkëshorti i saj është shpallur në kërkim pasi nuk u gjet në banesë në momentin e aksionit.
Në 5 dhjetor, në dy operacione të ndryshme, policia ka arrestuar 6 persona në Vlorë dhe Fier, pasi është zbuluar se ata kishin kthyer lokalet e tyre në pika për lojërat e fatit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




