Ne rrjet

Nga Trumpi ‘kaloi’ te Bideni dhe 8 herë i arrestuar! Kush është Ryan Routh, atentatori që tentoi të vriste ish-presidentin

Gazeta Si - Personi i arrestuar dhe nën hetim për tentativën për të vrarë Donald Trump të dielën në fushën e tij të golfit në Florida, quhet Ryan Wesley Routh.

Ai është 58 vjeç dhe u transferua në Hawaii nga Karolina e Veriut në vitin 2018. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale, ku deklaroi se ishte gati të luftonte dhe të vdiste për Ukrainën.

Sipas mediave amerikane, thuhet se gjithashtu votoi për Donald Trump në vitin 2016, por ishte i zhgënjyer prej tij.

Më pas, kishte votuar në zgjedhjet e fundit paraprake demokrate dhe kishte shprehur mbështetjen e tij për Joe Biden përpara tërheqjes së tij nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

Në një postim prillin e kaluar në X, Routh shkroi se "demokracia është në rrezik në këto zgjedhje", një frazë e përdorur vazhdimisht nga Partia Demokratike kundër Trump.

Kjo është arsyeja pse mbështetësit e Trump dhe mediat e krahut të djathtë akuzojnë Presidentin Biden dhe zv/presidentes Kamala Harris për nxitje të retorikës së dhunshme kundër rivalit të tyre.

Ukraina

Duke gjykuar nga postimet e tij të shumta në rrjetet sociale në lidhje me Ukrainën, Routh shkoi në Kiev, sepse donte të luftonte, edhe pse nuk kishte përvojë të mëparshme ushtarake.

Ai u deklarua "gati për të vdekur", por nuk është e qartë nëse ai mori pjesë në luftime. Routh u intervistua nga “New York Times” në vitin 2023 në një artikull mbi luftëtarët e huaj amerikanë në Ukrainë: ai tha se ishte në Uashington për të takuar Komisionin e Kongresit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin me Evropën, "për dy orë" për të nxitur mbështetje më të madhe për Ukrainën. Por kur një tjetër luftëtar i huaj amerikan e kritikoi atë në Facebook, Routh deklaroi se "duhet qëlluar".

Routh ishte përpjekur të rekrutonte ushtarë afganë për t’i sjellë në disa raste ilegalisht nga Pakistani dhe Irani në Ukrainë, për t'iu bashkuar luftës kundër Rusisë, por nuk është e qartë nëse ai u përpoq ta zbatonte këtë plan.

Në një mesazh tjetër në rrjetet sociale, ai i kërkoi Elon Musk t'i shesë atij një raketë për të "montuar një kokë lufte në të për ta përdorur kundër bunkerit të Putinit në Detin e Zi dhe për ta eliminuar atë përgjithmonë".

"A mund të më thoni ju lutem çmimin?" - kërkoi ai, duke shpjeguar se raketa mund të jetë edhe "e vjetër dhe e përdorur".

Ekspertët i analizojnë këto mesazhe në lidhje me nivelin e planifikimit të sulmit dhe me pajisjet e gjetura në vendngjarje: një pushkë gjysmë automatike e tipit Ak-47, një jelek antiplumb, si dhe një kamerë portative GoPro për të regjistruar sulmin të montuar në gardhin e jashtëm ku ai ishte vendosur për të qëlluar Donald Trumpin në Florida.

Nuk është e qartë se si Routh e dinte se Trump do të ishte midis gropave 5 dhe 6 të fushës së tij të golfit, të cilat ishin të dukshme nga pozicioni i tij.

Vendimi për të luajtur golf në West Palm Beach nuk ishte shpallur dhe ishte marrë në minutën e fundit. Ndër hipotezat e FBI-së, është edhe mundësia që ai ta ketë pritur Trumpin, edhe pse nuk kishte informacion se ku do të gjendej ish-presidenti të dielën.

Arrestimet e mëparshme

Sipas CNN, autori i dyshuar është arrestuar tetë herë në Amerikë: në një nga këto raste në vitin 2002, ai u ndoq nga policia dhe ishte fshehur për tre orë në një kompani ndërtimi në Greensboro, Karolina e Veriut, ku u gjet në posedim të një mitralozi.

Këtë të diel, në Florida, ai nuk bëri rezistencë ndaj arrestimit: pasi u pikas në perimetrin e fushës së golfit nga një agjent i shërbimit secret, i cili qëlloi mbi të, Routh braktisi pushkën dhe iku me një makinë tip “Nissan” të zi, për t'u kapur brenda pak minutash, pasi një dëshmitari e kishte parë të dilte nga shkurret dhe kishte fotografuar targën.

Kur u arrestua, ai ishte "i qetë, pa emocione, nuk ishte i armatosur", tha sherifi. Makina ishte e regjistruar në emër të vajzës së tij. Djali i tij, Oren tha se babai i tij “është një person i sjellshëm, një punëtor i ndershëm. Burri që njoh nuk do të kishte bërë asgjë të çmendur apo të dhunshme. Nuk e di se çfarë ndodhi në Florida”.

Por ai shtoi, duke folur për “Daily Mail”, se babë e bir ishin larguar dhe nuk ishin gjithmonë në kontakt. Djali tha gjithashtu se Ryan Routh e urren Trumpin "si çdo person i arsyeshëm".

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë