Vetëpërmbajtja dhe respektimi i masës nuk njihet nga disa. Rasti i E.D, i cili shkoi për vizitë tek shoku i tij, i cili për ta respektuar e qerasi me një gotë raki tregon se si më pas qejfliu i alkoolit, e kaloi ditën deri në mesnatë veçse duke pirë. Derisa të gjithë ata që e shoqëronin u detyruan të ngriheshin nga tavolina, megjithëse të tjerë uleshin dhe refuzonin të kthenin një gotë. Në përfundim, i riu u gjet pa ndjenja i rrëzuar në hyrjen e një pallati dhe është dashur ndërhyrja e mjekëve të traumës për ta kthyer në parametra normalë.
“E.D erdhi në banesë dhe e nisëm me një dopio”, deklaron pranë policisë numër tre shoku i tij me inicialet H.H.
Të rinjtë u ulën më pas në një lokal nga ora 12.00 deri në orën 14.00 të së njëjtës ditë” siç tregojnë kamerat ata u shtruan me të pirë.
Dy të sipërpërmendurit më pas u zhvendosën prej andej, por sërish me të njëjtin qëllim.
“Më pas u ulëm në lokalin tjeter.”, i cili është pjesë e strukturës së një pallati, edhe në këtë lokal vazhduam me pije të forta alkoolike – dëshmon në polici shoku i E.D.
Por dëshmitari e përballoi gjendjen e kthimit të gotave deri në orën 18.00.
“Pas kësaj ore u largova nga bari kurse E.D qëndroi në lokal dhe siç mora vesh më pas dhe siç tregojnë kamerat ai vazhdoi të pijë deri në orën 23.45”, shton H.H.
Kamerat e sigurisë tregojnë se si nën gjendje të dehur i riu shfaqet duke kryer veprime të pakontrolluara dhe agresive, duke shqetësuar punonjësit e lokalit. Policia e komisariatit numër 3 thotë për Gazetën Si “shfaqet stafi dhe klientët madje dhe shokë të tij që përpiqen ta qetësojnë, por nuk arrijnë dot të bëjnë gjë”.
Një nga fragmentet e kamerave të lokalit tregon se si i dehuri ulet në një tavolinë jashtë lokalit ku gjendej i ulur një çift dhe një klient i identifikuar si A. B. Ky i fundit tregon:
“Kur u afrua në tavolinë kërkoi me ngulm që unë dhe personat që më shoqëronin të pinim diçka prej tij. Ofronte ai, e njoh këtë person sepse vijmë nga i njëjti qytet. Kërkesës së tij çifti dhe unë ju përgjigjëm negativisht duke e refuzuar. Kaq mjaftoi që ai të kërkonte veçimin tim sepse donte të sqarohej. Pranova dhe u ula mënjanë me të”, thuhet në dëshminë e klientit.
Por ajo e ka trembur qytetarin është pikërisht mbajtja e një kaçavide në dorë prej të dehurit. “E godita në ballë me pëllëmbë dhe njëkohësisht e mbajta me dorë që mos të binte pasi lehtësisht humbiste ekuilibrin dhe në këtë moment kur ai u ul u ktheva në tavolinën time, bëra pagesën dhe u çuam”.
Klienti i dehur ka vijuar me axhendën e tij, duke u kthyer në një ‘pronar’ të përkohshëm të subjektit meqenëse stafi përfshi kamerierët dhe banakierin shfaqen të frikësuar prej tij. Kamerat sipas policisë tregojnë se si E.D luan me kompjuter, hap dhe mbyll dyert e lokalit dhe herë kërcënon stafin. Në një moment pak çaste përpara mesnatës, punonjësit dorëzohen dhe njoftojnë policinë e zonës.
“Ky person sapo i pa punonjësit megjithëse i dehur dhe në mënyrë të pashpjegueshme u largua me vrap, u shpëtoi atyre duke shfrytëzuar hyrjen tjetër të lokalit. Më pas, i riu u gjet pa ndjenja në afërsi të një vendroje të pallatit. Policia shkruan “nga komunikimi me këtë të fundit efektivët e kanë pyetur se çfarë kishte pirë, por ai nuk jepte asnjë përgjigje. Personi nuk ka dëmtime të jashtme”, njoftojnë policët e patrullës. Në këtë gjendje kur policët janë bindur se personi i çuditshëm nuk ishte i duhuri për t’u dërguar në komisariat, kanë njoftuar shërbimin e sallës operative që njoftonin autoambulancën për ta transportuar të sëmurin në spital.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



