Nga Gazeta Si – Një nga projektet më ambicioze të qeverisë, sa i përket kulturës në 2023, është “Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë”. Kështu u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit të prioriteteve të Ministrisë që drejton për vitin 2023.
“Kjo qendër ka nisur të marrë jetë në hapësirën e ish-Gardës”, ministrjaMargariti gjatë publikimit të arritjeve në vitin 2022 dhe objektivat për vitin 2023.
Përtej Teatrit të Kukullave e kurseve të muzikës e pikturës, në këtë qendër një hapësirë e konsiderueshme do i lihet kurseve të teknologjisë dhe artizanatit. Do të ketë hapësira të dedikuara për fëmijët që do të mësojnë poçerinë e zejtari të tjera.
Por, kantieri më i madh i Ministrisë së Kulturës, mbetet Teatri Kombëtar.
“Në momentin që realizojmë këtë objekt, do të kemi një inkubator idesh e festivalesh ndërkombëtare dhe puna për këtë ka nisur me drejtorin e ri, duke krijuar sinergji e bashkëpunime të reja”, u shpreh Margariti.
Dy kantiere të tjera që veçoi ministrja e Kulturës ishin dhe Muzeu Hebraik në Vlorë dhe Piramida e Tiranës.
“Muzeu Hebraik vjen për të sjellë traditën e bukur shqiptare të mikpritjes dhe mbështetjes ndaj këtij komuniteti. Shpesh fëmijët tanë nuk e dinë historinë e bukur të mikpritjes kombëtare dhe përveç kësaj shpresojmë që ky muze të shërbejë si magnet ndaj turistëve dhe vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me komunitetin hebre”, u shpreh Margariti.
Muzeu Hebraik do të vijë si një muze dixhital, ku do të vihet theksi tek elemente audio-vizuale dhe s’do të jetë një muze i prekshëm.
Ndërsa Piramida e Tiranës, një nga objektet më simbolike të një periudhe të errët, po transformohet.
“Me partnerë të rëndësishëm si Fondi Amerikan i Zhvillimit, brenda 6-mujorit të parë do të kemi përfundimin e këtij inkubatori të teknologjisë”, tha ministrja e Kulturës.
Më tej ajo renditi të tjera nisma të ministrisë që drejton. Margariti tha se shumë shpejt do të nisë muzealizimi i shtëpisë së Gjergj Fishtës dhe memoriali i tij, duke e kthyer në një rezidencë artistësh.
Ndër projektet e artit, Margariti ka veçuar një projekt dedikuar artizanëve.
“Ata do të mbështeten akoma më shumë pasi në shifrat e dala nga turizmi del se ata janë një katalizator për zhvillimin e turizmit, prandaj do të kenë një fond të dedikuar”.
Duke folur për arritjet e vitit 2022, Margariti u shpreh se futja e xhubletës në UNESCO ishte “ishte kryefjala e vitit 2022”.
“Xhubleta lidhet ngushtësisht me një zhvillim të mëtejshëm të një ekonomie lokale, të punishteve të grave, të cilat do të kenë mbështetje ekonomike”, është shprehur ajo.
Ndërsa një ndër nismat më të suksesshme të vitit 2022 sipas Margaritit ishte “Bonusi i Rijetësimit”, një nismë që bën bashkë sektorin publik dhe atë privat.
“Gjatë 2022 u dhanë grante pa asnjë kërkesë për t’u kthyer mbrapsht. Pati 40 projekte fituese mes të cilave Monumente Kulture të Kategorisë I”, tha Margariti.
Më tej, ministrja ka veçuar Bienalen e Venecias 2022 ku Shqipëria për herë të parë u përfaqësua nga një grua dhe kjo nuk ndodhi rastësisht dhe uroi që edhe këtë vit të kemi një jehonë të tillë siç e patëm me Lumturi Blloshmin në Bienalen e vitit 2022.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



