Rend dhe Ligj

Nga Shqipëria në Angli për 5 mijë paundë në muaj… Historia e të riut “fermer” në shtëpitë e hashashit

“A do të ikësh të bësh lek në Angli, ta gjej unë personin që të paguan rrugën?”. Kjo ishte pyetja që iu bë në shkurt të 2016-s të riut me inicialet K.L., me vendlindje nga fshatrat e Pukës. Në atë kohë s’e dinte që në varësi të përgjigjes së kësaj pyetjeje jeta do t’i ndryshonte… për mirë, apo për keq, sot thotë se nuk është në gjendje që ta përcaktojë.

Ai rrëfen për Gazetën “Si” se nga 2011 deri në 2016 jeta e tij endej mes Tiranës, Shkodrës dhe Malit të Zi.

LEXO EDHE:
Dosja/ Në këmbim të mbjelljes se hashashit, u garantohet udhëtimi falas në Angli
Fenomeni, si po përdoren emigrantët në Britani për të mbjellë drogë

“Punoja në ndërtim në Ulqin, Budva, Kotorr, por puna ishte me sezone. Provova edhe Italinë për pak kohë, por bëja më shumë lek në Mal të Zi, ishin vitet kur ka pas shumë punë në ndërtim atje, ndërsa Italia ishte në krizë”, thotë K.

Pastaj…

“Pastaj erdhi oferta e Anglisë. Kishim dëgjuar jo atje bëhen lek, jo bëhet jetë. Nuk u mendova gjatë dhe kur më propozuan që të më paguanin rrugën ca të njohur të të njohurve të mi pranova”, shton ai.

Por, çfarë pune mendonte se do të bënte?

“Kur i pyeta më thanë që të mos e vras mendjen. "Ç'ke ti?! Merremi ne me atë punë! Ti sa të shkosh atje, e ke punën gati”, citon K. përgjigjen e personave që i ofruan këtë “mundësi”.

Datën e saktë se kur është nisur nuk e mban mend. Thotë se ka qenë nga fundi i prillit të 2016-s.

“U nisa me autobus përmes Malit të Zi deri në Belgjikë. Ishim 4 vetë që na kishin paguar biletën. Rruga shkoi 6 ditë, po dy ditë qëndruam në Kroaci, në pritje të një personi që do na drejtonte për në Belgjikë”, kujton K.

Personi që i kontaktoi iu prezantua si shqiptar që jetonte e punonte në Austri. “S’e di nga cila zonë e Shqipërisë ishte, por verior dukej. Na mori nga qyteti Karlovac i Kroacisë dhe na kaloi me makinën e vet personale për në Slloveni. Këtu morëm autobus për në Belgjikë”, thotë ai.

Këtë pjesë të rrugëtimit thotë se e mban mend shumë pak, pasi pjesën më të madhe e ka kaluar në gjumë në autobus për shkak të lodhjes.

“Kur mbërritëm në Belgjikë mbaj mend që një person tjetër na erdhi brenda në autobus e na tha që të mos lëviznim dhe të prisnin sinjalin e tij. Me të kishim folur në telefon gjatë rrugës, por asnjëri prej nesh s’e njihte, të paktën kështu më thanë edhe ata të tjerët”, kujton ai.

Kontakti i udhëzon pas 2 orësh dhe në kohë muzgu që të dalin dhe të nxitojnë.

“Ndoqëm atë me shpejtësi, u futëm në një furgon mallrash dhe nga furgoni e gjetëm veten brenda një kontenieri”, rrëfen i riu.

Ai thotë se ende sot nuk është në gjendje që të thotë nëse është nisur drejt Anglisë nga Belgjika, Holanda apo Franca dhe as se në cilin port të Anglisë ka zbritur.

“Di që brenda kontenierit na kishin futur ujë, patatina, bukë. S’e mbaj mend fiks, po besoj që kemi udhëtuar rreth 16 orë të mbyllur. Kur zbritëm në Angli ishim të trullosur. Na morën me shpejtësi prap me furgon dhe na çuan në një magazinë. Dolëm prej andej qetësisht dhe jashtë na priste një taksi”, kujton ai.

K. thotë se taksisti nuk u foli fare, por sapo hipën katër pasagjerët u nis me shpejtësi, duke i çuar në një lavazh dhe servis makinash që ndodhej përballë një shkolle.

“Mbaj mend që në krah të servisit kishte fusha sportive. Pasi hymë brenda qepeni u mbyll me shpejtësi. Nga jashtë dukej një ndërtesë normale servisi e lavazhi makinash. Brenda pastaj u ngjitëm përmes një shkalle metalike duke hyrë në një hapësirë me tre dhoma, kuzhinë, banjo e çdo gjë tjetër për të jetuar”, kujton K.

Udhëzimi i radhës që kishin marrë ishin që të pushonin pasi ditën tjetër do t’i takonte “shefi” i servisit. K. kujton se ai dhe tre bashkëudhëtarët e tij e kishin një ide se për çfarë pune bëhej fjalë.

“Shefi shqiptar ka ardhur paradite. Unë isha ende në gjumë. Pasi na pyeti nëse na kishte lodhur rruga dhe a ishim mirë na tha se punë mund të fillonim që nesër dhe mund të fitonim deri në 5 mijë paundë në muaj. Ne e dinim se për ça pune bëhej fjalë, por jo sa e lodhshme fizikisht dhe mendërisht do të ishte ajo”, deklaron K.

Ai rrëfen se punën e ka filluar më datë 2 maj 2016.

“Na erdhi një anglez e na thirri. Nisëm të veshim këpucët, kur na thotë që të shkonim me shapka. S’e morëm vesh, si mund të iknim me shapka në punë. Pastaj e kuptuam që ne ishim në punë. Ndoqëm atë nga pas, kur hapi një derë llamarine, që dukej si fundi i servisit. Hymë brenda e shohim një dhomë të madhe të mbjellë me hashash dhe e ndriçuar me llampa. Në hyrje linim shapkat dhe vishnim ca çizme të shkurtra, pasi kishte shumë lagështi”, thotë ai.

Detyra e të rinjve deri kur “malli u poq” ishte vaditja dhe ajrosja e ambientit. Korrja ishte detyrë e tjetërkujt. K. thotë se kanë punuar kështu për gati 3 muaj pa dalë fare nga servisi, deri kur i njoftuan që të mos dilnin më për punë, pasi “bari do të korrej”.

Ky ka qenë momenti kur u është lejuar që mund të dalin nga servisi, por me porosinë që të tregohen të kujdesshëm. “Ishim bërë si kufoma aty brenda”, thotë K.

Ai thotë se nuk është përfshirë në procesin e tharjes dhe të paketimit të mallit, por kujton se rreth dy javë më vonë u kanë hequr të drejtën e daljes dhe i kanë mbyllur sërish në servis, me detyrën e pastrimit të të gjitha gjurmëve të kultivimit të tij në ambiente të mbyllura.

Nga ngjarjet që rodhën më vonë thotë se ka kuptuar që edhe ashtu mbyllur në shtëpi, ata ishin në punë… atë të ruajtjes së hashashit. Rutina do të prishej diku nga fundi i muajit tetor të 2016-s.

“Erdhi policia dhe bëri një kontroll. Na gjetën ne pa letra, ndërsa hashash jo. S’e di, a e kishin shitur, apo e kishin hequr prej aty. Di që neve na patën thënë që do të paguheshim diku te 9 mijë paundë për kokë”, thotë ai.

Paratë nuk i morën asnjëherë dhe në vend të tyre morën peripecitë e një procesi gjyqësor.

“Policia vërtet nuk gjeti hashash, por gjeti gjurmë kultivimi të tij. Na akuzuan fillimisht për kultivim bimësh narkotike. Por, pa dalë në gjyq na erdhi një avokat që na tha të deklaronim se ishim përdorues vetë”, deklaron K.

Burgu u shmang dhe në fund të shkurtit 2017 thotë se është dëbuar për në Shqipëri, ku financiarisht erdhi më i varfër nga sa iku.

“Të paktën mësova më mirë anglishten dhe sapo kam ardhur kam gjeta punë në një Call Center me pagesë të kënaqshme”, deklaron i riu.

K. sot vazhdon punën në tregun e Call Centera-ve tashmë si menaxher, në Tiranë, Prishtinë e madje edhe në Beograd e deri në Sofje.

“Më ka ecur mbarë”, mbyll ai rrëfimin ekskluziv për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë