Gazeta Si – Pas triumfit të Argjentinës në Katar 2022 kanë vërshuar mesazhet e urimit nga të gjitha anët e botës për Mesin me shokë. Jo vetëm nga bota e futbollit dhe sportit, por edhe nga udhëheqësit e shteteve të ndryshme.
Përgëzime të përzemërta argjentinasit kanë marrë edhe nga rivalët e tyre historikë, brazilianët, duke filluar nga legjenda Pele. Ai ka përshëndetur fitoren e Mesit dhe Argjentinës në Katar, por nuk ka harruar as Kilian Mbape për golat në finale.
Në një mesazh të publikuar në Instagram, Pele shkruan: “Futbolli vazhdon të na tregojë historinë e tij, si gjithmonë, me shumë pasion. Mesi fitoi për herë të parë Kupën e Botës, siç meritonte karriera e tij. Miku im i dashur Mbape shënoi 4 gola në një finale. Çfarë dhurate ishte të shikoje këtë spektakël për të ardhmen e sportit tonë.
Nuk mund të rri pa përgëzuar Marokun për paraqitjen e mirë. Është bukur të shohësh të shkëlqejë edhe Afrika. Urime Argjentinë! Me siguri Diego tani është duke buzëqeshur”. Pele i referohet Maradonës, i cili ndërroi jetë në vitin 2020.
Argjentinën e ka uruar edhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva. “I lumtur për fitoren e fqinjëve argjentinas. Ndeshje e madhe e Mesit, që meritonte shumë, por edhe e Di Marias. Urime lojtarëve, stafit teknik të Argjentinës dhe mikut tim Alberto Fernandez”, – ka shkruar Lula në Instagram, duke bërë tagg presidentin argjentinas Fernandez.
Nuk ka munguar mes urimeve të shumta edhe ai i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili ka telefonuar presidentin e Argjentinës, Alberto Fernandez. “Vladimir Putin ka pasur një bisedë telefonike me presidentin argjentinas Fernandez. Ai e ka uruar me ngrohtësi për fitoren e Kupës së Botës”, – ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.