Menaxhim

Nga pastrimi i bregdetit te menaxhimi i Vjosës, Kumbaro prezanton pr.buxhetin 2024

Nga Gazeta ‘Si’ – Vitin e ardhshëm përmes operacionit “Plazhe të pastra” do të mbështeten edhe bashkitë e Lezhës dhe Shkodrës.

Ndërsa po prezantonte projektbuxhetin 2024, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se fondi për pastrimin e vijës bregdetare gjatë muajve të verës do të rritet në 250 milion lekë.

“Eksperienca e viteve 2022 dhe 2023 ku ndërhymë fillimisht në 4 bashki, për t’u shtuar në 6 bashki, tregoi se ishte ndërhyrja e duhur për të siguruar një sezon veror të pastër përballë flukseve që kanë qenë më të lartat ndonjëherë. Për këtë arsye, për vitin 2024 shtohen në këtë program edhe bashkitë Lezhë dhe Shkodër, krahas Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Vlorës, Himarës e Sarandës, duke plotësuar kështu të gjithë vijën bregdetare me forca të shtuara pastrimi përmes Agjencisë Kombëtare të Bregdetit”, u shpreh Kumbaro.

Ajo deklaroi se buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit vjen me një rritje totale prej 35%, rezultat i rritjes së fondit për promovimin e turizmit dhe integrimin e programit të ri të menaxhimit të mbetjeve.

Kumbaro u ndal edhe tek Parku Kombëtar i Lumit Vjosa.

“Është një akt guximtar që e bëri Shqipërinë përfaqësuese të një modeli të bukur dhe të qëndrueshëm, si simboli më i sinqertë i simbiozës së mjedisit me turizmin. Tani, sërish në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtar po punohet për: Planin e Menaxhimit të integruar të Parkut, si dhe për projektin e Qendrës së re të vizitorëve në Parkun Kombëtar të Vjosës.

Nga ana tjetër, buxheti i aprovuar në zërin e investimeve i hap rrugë edhe investimit në rehabilitimin e ‘Ngritjes së infrastrukturës Turistike me theks tek ajo ujore Eco-Park Ulza’ i cili ka filluar procesin e prokurimit këtë vit për ta kthyer këtë zonë, një hapësirë atraktive për zhvillimin e turizmit me një vlerë investimi për vitin 2024 prej 200.6 milion lekë”, deklaroi ajo.

Ndërsa për nismën “Viti i Pyjeve”, Kumbaro tha se është dedikuar një buxhet prej 172 mln lekësh.

“Nismë shumë të rëndësishme që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Pyjeve po punojnë, shpalljen e vitit 2024 si ‘Viti i Pyjeve’ për të cilën kemi parashikuar një investim prej 172 milion lekë.

Do të jetë një vit me përfshirjen e shumë aktorëve, që nga institucionet qëndrore, të bashkitë të cilat janë edhe administruese të pyjeve në territor, te Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura që administron rreth 21.5% të territorit ku një pjesë të madhe e zënë pyjet, tek organizatat dhe shoqëria, me synimin e ripyllëzimit por edhe të ngritjes së ndërgjegjësimit në nivel kombëtar për rëndësinë e pyjeve”, deklaroi Kumbaro.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë