Në Shqipëri, sektori agrikulturor ka pasur një rol jetësor në rritjen e punësimit dhe ekonomisë. Momentalisht, sektori përbën rreth 20% të PBB-së së vendit, 3 herë më e lartë se mesatarja e rajonit dhe punëson 40% të popullsisë. 11.3% e eksporteve shqiptare janë produkte bujqësore.
Përpos një rritje të qëndrueshme të prodhimit agrikulturor përgjatë dekadave të shkuara, vendi ka mbetur pas fqinjëve. Kjo sepse ka disa ngërçe që përfshijnë copëzimin e tokës, investimet e ulëta në zonat infrastrukturore, probleme me të drejtat e pronësisë, akses të limituar në financë dhe mungesë njohurish për tregun.
Fshatrat shqiptare janë të mbushura me 359.000 ferma me një madhësi mesatare prej rreth një hektar – shpesh të ndara në parcela të vogla. Ky nivel i lartë i copëzimit kontribuon drejtpërdrejt në produktivitetin e ulët margjinal, pasi fermerët nuk janë në gjendje të shfrytëzojnë ekonomitë e shkallës në prodhim, logjistikë, informacion tregu dhe menaxhim të njohurive. Një kufizim tjetër i rëndë janë aftësitë e kufizuara të prodhimit, duke përmendur përdorimin e inputeve dhe proceseve joefikase dhe duke minuar më tej produktivitetin margjinal të fermave shqiptare.
Menaxhimi i moderuar i tokës
Momentalisht, vetëm 10% e titujve pronësore janë të regjistruara në mënyrë digjitale ndërsa 80% mbeten në letër. 10% nuk janë regjistruar fare. Mungesa e këtyre të dhënave e bën të vështirë për fermerët të marrin financime. Po ashtu, kjo sjell edhe konflikte pronësie.
Për të ndrequr këtë çështje, Shqipëria duhet patjetër të përmirësojë të dhënat e pronave. Të gjitha të dhënat kadastrale duhet të jenë të regjistruara në formë digjitale dhe duhet të krijohet një hartë me këto të dhëna. Trajnim i një brezi të ri profesionistësh për pronat dhe menaxhimin e moderuar të tokës është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë.
Zgjerimi i aksesit në financë
Edhe pse bujqësia përbën 20% të PBB-së, ajo merr vetëm 3% të kredisë në rang kombëtar. Një pjesë shumë e madhë e popullsisë rurale nuk financohet dot nga institucionet. Kapitali qarkullues i pamjaftueshëm çon më pas në cilësi të dobët të prodhimit, mekanizim të kufizuar dhe nivele të ulëta të përdorimit të plehrave për hektar, duke minuar më tej produktivitetin.
Shqipërisë i mungojnë edhe skemat e sigurimit të të korrave dhe mjeteve. Krijimi i skemave të garancisë së kredisë dhe instrumenteve financiare alternative, si dhe nxitja e krijimit të tregjeve të sigurimit të të korrave mund të zgjerojë aksesin në financa, veçanërisht midis fermerëve të vegjël, duke zbutur rreziqet e fondeveme të cilat përballen huadhënësit bujqësorë.
Integrimi në zinxhirin europian të vlerës
Proceset e anëtarësimit të Shqipërisë në BE kanë forcuar lidhjet e saj me tregjet europiane, në eksporte dhe importe. Fatkeqësisht, eksportet agrikulturore në vendet e BE-së kanë rënë, ndërkohë që të fqinjëve rriten. Tregjet e BE-së zakonisht ofrojnë çmime shumë më të larta se tregjet e Ballkanit Perëndimor, megjithatë eksportet shqiptare në BE mbeten kryesisht të kufizuara në mallrat e përpunuara minimalisht me nivele të ulëta të vlerës shtesë.
Për të përmirësuar këtë, Shqipëria duhet të merret me sfidat ndërsektoriale, tokën, financat, infrastrukturën, logjistikën si dhe pajtueshmërinë me standardet e sigurisë ushqimore dhe kërkesat e certifikimit.
Forcimi i standardeve të ushqimit, sistemeve të certifikimit, gjurmueshmërisë dhe infrastrukturës është thelbësor për anëtarësimin në BE dhe zgjerimin e aksesit në treg. Autoritetet shqiptare duhet të vlerësojnë kërkesat lidhur me eksportin për hortikulturën dhe produkte të tjera ushqimore dhe të përgatisin një plan për të ndërtuar kapacitetin e prodhuesve. Njëkohësisht, ato duhet të rrisin kapacitetin mbikëqyrës të Agjencisë së Sigurisë Ushqimore, të krijojnë laboratorë të akredituar të testimit të eksportit dhe mekanizma certifikimi dhe të investojnë në platforma informacioni për të komunikuar kërkesat sanitare dhe fitosanitare me fermerët dhe palët e tjera të interesuara.
Mbyllja e hendekëve në infrastrukturë
Investimi në rrugë, përmriësimi i aksesit në zonat rurale dhe përmirësimi i infrastrukturës pas të korrave në përputhje me kriteret europiane, do të rrisin prodhimin dhe do të nxisin diversifikimin. Rehabilitimi i infrastrukturës së ujitjes do të forconte qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe goditjeve të lidhura me motin. Përmirësimi i proceseve doganore dhe procedurave të tjera kufitare do të reduktonte kostot e eksportit dhe do të rriste konkurrencën e mallrave shqiptare në tregjet e huaja.
Harta për të ardhmen
Veprimet e politikave dhe ndërhyrjet e suksesshme në katër fusha kyçe mund të nxisin një fazë të re në transformimin strukturor të Shqipërisë në bujqësi:
adresimi i copëzimit të tokës dhe të drejtave pronësore, përmirësimi i aksesit në infrastrukturën e ujitjes dhe transportit, përmirësimi i standardeve dhe certifikimit të ushqimit së bashku me infrastrukturën përkatëse, forcimi i lidhjeve të sektorit për konkurrencë më të lartë të eksporteve. Sektori bujqësor i vendit posedon potencial dhe mundësi të konsiderueshme për të rritur vlerën e shtuar dhe aksesi në segmente fitimprurëse të tregut mund të nxisë flukset hyrëse të kapitalit.
Artikull i Bankës Botërore*
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.