Nga Gazeta “SI”- Ka muaj që i ngjajnë një stine më vete, sidomos kur vjeshta sjell me vete tinguj të paharrueshëm në tempullin e artit të një kombi. Nëntori është pikërisht një muaj i tillë në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor , një periudhë e mbushur me aktivitete dhe shfaqje që i japin këtij muaji ngjyrimet identitare dhe simbolike të një feste të përkushtuar ndaj atdheut.
Programi koncertor i Nëntorit nis me baletin “La Sylphide”, me koreografi të August Bournonville dhe nën dirigjimin e Gridi Krajës.
Më 6 nëntor, TKOBAP i rezervon një mbrëmje kompozitorit George Enescu, me zërin e Sonila Babocit dhe Eriona Gjyzelit, të shoqëruara nga një formacion muzikor i përbërë nga Herta Cane, Laula Lila, Elton Tola, Xhanina Cela, Mario Guralumi dhe Enalda Gjoni.
Ndërkohë, më 8 nëntor, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore sjell koncertin “Shqipëria o nëna ime”, duke hapur atmosferën festive të një muaji kushtuar ngjarjeve kombëtare.

Sopranoja e famshme Ermonela Jaho rikthehet sërish, këtë herë për një koncert në Gjakovë, në kuadër të Ditëve të Nëntorit, ndërsa Trupa Korale e TKOBAP sjell një koncert tërësisht koral më 17 nëntor.
Në mbrëmjen e 19 nëntorit, në Hollin Koncertor pritet një “dialog i ëmbël” mes violonçelit dhe pianos. Ejona Nako dhe Ina Petrollari Laço flasin në gjuhën e tingujve me recitalin “Koncert Recital Duo Cello–Piano”.
Më 21 nëntor, bota e madhërishme e Beethovenit dhe Mozartit mbush sallën e madhe koncertore të TKOBAP. Peter Michael Garst drejton Orkestrën Simfonike me një elegancë që përzien fuqinë me përulësinë, në një mbrëmje që na kujton pse muzika klasike është përjetësi.
Një ditë më pas, më 22 nëntor, Kori i Zërave të Bardhë, nën drejtimin e Dritan Lumshit dhe me udhëheqjen artistike të Sonila Babocit, sjell koncertin “Zëri i shpirtit tim”.
Në javën e fundit të muajit, në skenë ngjitet poezia e fundit e Schubertit. Më 25 nëntor, baritoni Artur Vera dhe pianistja Etrita Ibrahimi sjellin “Schwanengesang – Kënga e mjellmës”, veprën që kompozitori e la si përshëndetje ndaj jetës: një mbrëmje e dedikuar dashurisë, humbjes dhe lirisë.
Më 26 nëntor, zërat e fëmijëve çekë të Choir Boni Puer vijnë nën dirigjimin e Marek Štilec dhe Pavel Horák, të shoqëruar nga pianisti Vartan Agopian.

Por muzika nuk ndalet në Tiranë. TKOBAP nis udhëtimin.
Më 27 nëntor, kori çek udhëton drejt Vlorës, ndërsa Ansambli Popullor ngjitet në skenën e Teatrit “Bylis” në Fier me koncertin “Na Bashkon Flamuri”. Në prag pavarësie, është muzika ajo që kujton dhe nderon.
Dhe më 28 nëntor, dita e madhe, mbyllet me dy ngjarje që mbartin shpirtin shqiptar.
Në Tiranë, Orkestra Simfonike e TKOBAP, në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të RTSH-së, sjell koncertin “Historia e Filmit Shqiptar nën Tinguj” një udhëtim nostalgjik mes melodive që kanë shoqëruar kujtesën tonë kolektive.

Ndërkohë, në Vlorë, Ansambli Popullor mban sërish koncertin “Na Bashkon Flamuri”, duke e kthyer qytetin në një vallëzim të hapur kombëtar.
Kështu përfundon Nëntori, me një program të ngjeshur dhe të pasur: për nostalgjikët e muzikës klasike, admiruesit e Ermonela Jahos, dashamirësit e korit të fëmijëve, por mbi të gjitha, për të gjithë ata që festojnë dhe nderojnë festat tona kombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



