Ngjarje

Nga ndryshimi i nocionit të përdhunimit tek njohja e punës së papaguar të grave, rekomandimet e OKB për Shqipërinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Komiteti për eleminimin dhe diskriminim ndaj grave, CEDAW, organizëm i OKB-së, i ka dërguar Shqipërisë raportin e problematikave në këtë drejtim që nuk kanë marrë ende një përgjigje.

Një ndër rekomandimet më të rëndësishme të Komitetit për Shqipërinë është ai i nocionit të përdhunimit, sipas përkufizimit ligjor. CEDAW thekson se në Kodin Penal të Shqipërisë, përdhunimi përcaktohet si vepër me forcë ose kërcënim, por duhet të përcaktohet me mungesën e mospëlqimit.

CEDAW thekson se në Shqipëri, femicidi ( vrasja e grave) dhe sulmi kibernetik nuk janë të përkufizuara si vepra penale specifike dhe se duhet të ndryshohet Kodi Penal, ku të njihet edhe dhuna psikologjike, ekonomike.

Komiteti vëren se strategjia kombëtare për barazi gjinore në Shqipëri nuk ka qenë efektive dhe se aksesi i grave në drejtësi, sidomos për viktimat e dhunës është tepër i kufizuar. Lidhur me të, në raport theksohet se kur raportohen rastet e dhunës nga gratë mungojnë hetimet dhe ka vonesa të gjata, që mund të nxisë riaktivizimin e dhunës. Aty thuhet se shumë gra shqiptare, nuk kanë njohuri ligjore dhe ngurrojnë të raportojnë dhunën për shkak të tendencave gjinore në organet gjyqësore.

Komiteti i OKB-së thotë se ndonëse Shqipëria ka një Këshill Kombëtar të Barazisë Gjinore (KKGJB), ai nuk ka as fonde dhe as burime njerëzore të duhura sa për të përmbushur qëllimet.

Në fushën e arsimit, Komiteti rekomandon planet për reduktimin e analfabetizmit që është i lartë tek gratë në zona rurale ose në ato pjesë e komuniteteve. Po ashtu Shqipëria duhet të ketë një edukim gjithëpërfshirës mbi edukimin seksual në të gjitha moshat, gratë të jenë të përfshira në zhvillimet teknologjike. Sipas të dhënave gjatë pandemisë, gratë ishin më të privuarat nga përdorimi i internetit.

Po ashtu sugjerimi është edhe për përgatitjen e një plani kombëtar anti-bullizëm.

Mbi punësimin, CEDAW i rekomandon qeverisë së Shqipërisë të respektojë parimin e barazisë në pagë, pasi hendeku mesatar burra-gra është 6.6% dhe në fushën e industrisë shkon 27%.

Duke qenë se gratë ë Shqipëri janë masivisht të punësuara në sektorë me paga të ulëta, të shfrytëzuara dhe pa sigurime shoqërore, rekomandohet përmirësimi i aksesit të punësimit të tyre dhe zgjerimi i skemave të mbrojtjes. Po ashtu, theksohet se grave duhet t’u njihet puna e papaguar (kujdesi në familje) dhe atyre që punojnë në bizneset familjare t’u njihen sigurimet shoqërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë