Kuvendi Kombëtar i PD i thirrur nga Sali Berisha ka nisur procedurat për shkarkimit e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.
Kryetari i Komisionit që po drejton punimet e Kuvendit Kombëtar, Belind Këlliçi tha se do të votohet propozimi i 7 deputetëve të PD dhe 15% të delegatëve për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetari i PD-së për thyerje të rënda të statutit të PD-së dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj
Vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Lulzim Bashës do të kalojë për votim në bazë në datën 18 dhjetor, ditën kur Basha mban Kuvendin Kombetar
Rreth orës 11.20 në praninë e 4920 delegatëve Kuvendi i mbledhur nga Sali Berisha në Air Albania ka filluar zyrtarisht punimet.
“E jashtëzakonshme dita, në historinë e demokracisë shqiptare kjo shënon një nga ngjarjet më të mëdha. Kjo shënon mrekullinë e dytë më të madhe në historinë e lirisë së këtij kombi, triumfi i revolucionit paqësor në momentet më dramatike të vendit.
Asgjë, siç e shihni nuk pengoi dhe nuk pengon djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e lirisë për t’u bashkuar sot në rithemelimin e PD dhe të pluralizmit shqiptar. Mesazh më i bukur, më i madh, më i fuqishëm që i dërgojnë sot shqiptarëve në mbarë vendin, jashtë dhe në diasporë. Iu dërgojnë mesazh miqve tanë“, u shpreh më herët Berisha.
A do shkoje sot në seli? Ambasada e ka quajtur një tubim Kuvendin sot…
“Mesazhet janë një histori turpi e morën përgjigjen më të shkëlqyer nga demokratët, nga më të lirët e shqiptarëve”, u përgjigj ai.
A do kthehej në seli sot?
“Selia eshte PD”, tha ai
Me thirrjet “Basha ik, Basha ik” “O Sali o hero, gjithë Shqipëria dy të do”, Kuvendi në Air Albania u hap nga Edi Paloka, kryetar i Këshillit Kombëtar.
“Delegatë miq dhe të ftuar, i nderuar z. Berisha Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë! Prania juaj sot këtu në një ditë si kjo ku mesa duket edhe Zoti ka dashur të shtojë simbolikën e tij, ne jemi demokratët e rrebeshit, jo të shampanjës, të tjerët le të shkojnë te shampanja.
Kjo ditë do hyjë në historinë e PD-së, të demokratëve dhe gjithë shqiptarëve, jo thjesht sepse për herë të parë mblidhet një Kuvend me kërkesën dhe vullnetin e delegatëve, as thjesht për numrin e pazakontë të pjesmarrësve, por për faktin që pas 31 vitesh mblidhemi edhe një herë në përvjetorin e PD për ta rithemeluar atë, mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritëm në dhjetor 90 por edhe për ta vendosur përfundimisht në shinat e konservatorizmit.
E kam konsideruar veten me fat që në dhjetor të 90-ës u bëra pjesë e lëvizjes studentore dhe njëri prej atyre që themeluan PD. Pas kësaj dite ne do kemi të drejtën të themi me kënaqësi, unë isha aty kur u themelua PD. Mbi 4200 delegatë kanë firmosur fillimisht për mbajtjen e këtij Kuvendi, sot numri i firmëtarëve është shumë më i lartë se sa ai i ditëve të para”, tha Paloka.
Hyrja nuk ka qenë e lehte për disa prej delegateve. Delegatët e pajisur me barcode ku kanë bashkëngjitur emrin, mbiemrin dhe funksionin në parti janë kontrolluar paraprakisht, pasi me vete duhet te kishin edhe kartën e identitetit.
Përmes një pajisjeje elektronike dixhitale është bërë skanimi i barkodit të delegatit, ndërsa emri dhe funksioni i delegatit ishte parashikuar të shfaqej në një ekran të madh. Dyndja në moment të fundit ne hyrje të stadiumit e ka bërë pak kaotike situatën për të parë procedurën e ndjekur, edhe pse delegatët kishin në dispozicion tre hyrje për në AirAlbania.
Ndërkohë, nuk është kërkuar ndonjë dokument për pjesën tjetër të anëtarësisë e ftuar me dëshirë nga Sali Berisha një ditë më parë
Në katin e parë të stadiumit “Air Albania”, në anën lindore me kapacitet 5-6 mijë veta, pritet që të ulen delegatët. Ndërsa në katin e dytë të stadiumit dhe në pjesët anësore do të vendosen anëtarët e PD-së apo simpatizantët.
Secili prej delegatëve është pajisur me një dokument për ndryshimet ne statut që synon primaret, vendosjen e fraksioneve dhe kufizimin e numrit të delegatëve dhe kryesisë së partisë.
Pritet që të mbahen rreth 20 fjalime me pas do të kalohet me votimin për shkarkimin e Lulzim Bashës, por organizatorët nuk sqarojnë se si, ndërsa për ato në statut votimi do të bëhet me ngritje dore.
Në paketën e ndryshimeve në statut do të përfshihet edhe një nen ku kryetari shkarkohet në rast se humb zgjedhjet e përgjithshme ndërsa votëbesohet nëse humb ato lokalet.
Ndërkohe deri në orën 10 kur ishte parashikuar edhe fillimi i Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha nuik kishte dale ende nga banesa e tij edhe pse ajo eshte afër me stadiumin. Rreth kësja ore ne ekranin e madh të vendosur ne stadium po renditeshin edhe emrat e delegateve qe deri ne ate moment ishin rreth 700 që do të thotë se fillimi i këtyre punimeve do të dojë edhe pak kohë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







