Donald Trump është rikthyer zyrtarisht në fuqi, duke u bërë presidenti i 47-të i SHBA-së. Ai e quajti këtë një rikthim “historik”.
Pas betimit në godinën e Capitol, ai mbajti një fjalim 30 minutësh.
Liria e fjalës
Trump premtoi të “rikthente fjalën e lirë” duke i dhënë fund censurës së qeverisë, lidhur kjo dhe me suportin që ai ka nga kompanitë e teknologjisë. Gjatë fjalimit, drejtuesit e kësaj industrie si Elon Musk, Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos kishin zënë vendet para kabinetit të Trump. Si kjo do të ndikojë në planet e BE-së për të rregulluar tregun e teknologjisë është një nga pyetjet që kërkon përgjigje.
“Ne do të gërmojmë zemër!“
Trump njoftoi se vendi është në një emergjencë energjie dhe kërkoi të rritej prodhimi i naftës dhe i gazit, për të ulur kështu kostot pë konsumatorët amerikanë. Ai shtoi se SHBA do të tërhiqet sërish nga marrëveshja e Parisit për Klimën.
“Amerika do të jetë një komb prodhues edhe një herë, dhe ne kemi diçka që asnjë komb tjetër prodhues nuk do ta ketë ndonjëherë, sasinë më të madhe të naftës dhe gazit të çdo vendi në Tokë, dhe ne do ta përdorim atë. “Ne do të gërmojmë zemër, do të gërmojmë”, tha Trump në inaugurimin e tij
Tarifa për tregtinë e jashtme
Presidenti amerikan theksoi se nuk ka hequr dorë nga tarifat për marrëveshjet tregtare, një mënyrë kjo që do të ndihmojë qytetarët amerikanë sipas tij. Në fjalimin e tij Trump përsëriti planin e tij për të ngritur një “Shërbim të të Ardhurave të Jashtme” për të mbledhur tarifa, detyrime dhe të ardhura, duke premtuar “sasi masive parash” që derdhen nga burime të huaja.
Përpara kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump u zotua të vendosë tarifa 25 për qind për importet kanadeze dhe meksikane, dhe 10 për qind shtesë për mallrat kineze, nëse ata nuk bëjnë më shumë për imigracionin e paligjshëm dhe rrjedhën e fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
“Ëndrra amerikane së shpejti do të kthehet dhe do të lulëzojë si kurrë më parë,” tha ai.
Ambiciet territoriale nga Marsi në Panama
Më një plan për të “kolonizuar” Marsin, Trump u zotua për zgjerim territori. Ai ripërsëriti planet e politikës së jashtme duke përmendur luftën Izrael-Hamas dhe rimarrjen e kanalit të Panamasë, që sipas tij po kontrollhet nga Kina.
Trump i “shpalli luftë” politikave të njohura si “woke”, të mbështetura fort nga administrata e Biden, mbi diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Ai tha se administrata e tij do të njohë vetëm 2 gjini – femër dhe mashkull – dhe do të ndalojë përpjekjet për të futur diskutimet e rracës dhe gjinisë në çdo aspekt të shoqërisë, jetës private apo publike.
Emigracioni
Ai sulmoi elitën “ekstremiste dhe të korruptuar” në Uashington, duke iu referuar administratës së mëparshme Biden, ndërsa shpalli emergjencën në kufirin me Meksikën dhe dëbimin e emigrantëve kriminelë.
“Unë do të shpall një emergjencë sot në kufirin me Meksikën dhe do të dërgoj ushtrinë. Do të dëboj miliona e miliona emigrantë kriminelë.”
Rikthimi i MAGA
Trump premtoi të rrisë pozitën e SHBA-së në skenën globale, duke pretenduar se “rënia e Amerikës ka marrë fund”. Ai gjithashtu vlerësoi kthimin e tij në Zyrën Ovale si “provë se nuk duhet të besoni kurrë se diçka është e pamundur të bëhet në Amerikë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.