Libra

Nga Migjeni dhe Fishta te James Joyce dhe De Rada/ Natasha Lako përball autorët më të njohur në librin ‘Njeriu si një tjetër’

Nga Gazeta Si - “Në krijimtarinë e Migjenit, pothuaj, nuk ka ëndrra, dhe kjo tremb. Le të kujtojmë këtu ‘Poemën e mjerimit’, që deri te një shpërbërje trupore të kujton rrathët e ferrit. Arti i Fishtës me veprën e tij madhore ‘Lahuta e Malësisë’, në rrugën e eposit verior, shkëputet nga forca tronditëse e jetës së përditshme për të krijuar një aventurë lirie, gati kalorësiake, si thyerje e zinxhirëve të një dite të robëruar”, kjo është një ndër copëzat e eseve në librin më të ri të poetes së njohur Natasha Lako, “Njeriu si një tjetër”.

Pas një krijimtarie të gjatë nga poezia në skenar filmi, roman, kritikë, shkrime publicistike, në këtë libër Natasha Lako vjen me një përmbledhje esesh, disa prej të cilave të botuara më parë në shtypin e shkruar.

Libri bën bashkë ese të shkruara që para vitit ’97, të cilat lidhen me autorë dhe shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë e të huaj, e po ashtu vihen në nivele krahasuese dhe analizuese si për nga stilistika, po ashtu nga mënyra se si perceptohen nga publiku.

Poetja Natasha Lako thotë për Gazetën “Si” se titulli ka qenë më i vështiri për t’u gjetur, pasi bën bashkë dhe vendos mendime të ndryshme në hapësirë dhe kohë.

“Përmbledh ese ndonjë të botuar nga viti i para ’97-s. Ka edhe shumë ese që botohen për herë të parë secila me titull më vete. ‘Njeriu si një tjetër’ përbën një emërues të përbashkët, i lidh të gjitha, por nuk ishte shumë e lehtë të lidheshin me atë esencë që i bashkon. Në këtë libër përmblidhet madje ajo që na bashkon të gjithëve nëpërmjet letërsisë dhe artit”, shprehet poetja Natasha Lako për Gazetën “Si”.

Poetja Natasha Lako

Lako bën bashkë emra si Migjeni dhe Fishta, dy poetë shkodranë, Ëalt Ëhitman dhe Naim Frashëri, të cilët të dy i këndojnë natyrës, Heraklitin dhe Bogdanin, për vargjet dramatike, James Joyce dhe De Rada, për botën shpirtërore etj.

Ndër të tjera, Lako thotë se ka folur në këtë libër për shumë autorë që e kanë lënë veprën e tyre të madhe dhe të lirë për çdo njeri.

“Çdo ese ka filluar nga një moment ku mund të them diçka në sajë të një emocioni të sapolindur leximi ose rileximi, takimi të beftë apo përvoje të gjatë, por të thellë.

Sipas Lakos, ky libër nxjerr në pah edhe qëndrimin e shqiptarëve ndaj femrës.

“Dua që të gjithë ta dinë se çfarë pozite e kanë pasur shqiptarët botën e gruas jashtë shfrytëzimit monoton dhe degradues, duke i kthyer shpinën traditës së tyre më esenciale. Atyre që besojnë se jemi ndër popujt më të vjetër dëshiroj t’u them se këtë duhet ta vërtetojnë me hapësirën e lirisë të gjinisë femërore”, shprehet më tej Lako për Gazetën “Si”.

Ndonëse të gjitha format e të shkruarit që Lako ka lëvruar, duke nisur nga poezia te publicistika janë një liri dhe një botë më vete, për të libri “Njeriu si një tjetër” shpalos një formë tjetër lirie.

“Poezia shpalos një botë shumë personale ,skenari është një dhuratë që skenaristi jep për shumë të tjerë, pasi vepra kinematografike i përket një arti kolektiv ku kapiten i anijes mbetet regjisori. Publicistika që kam bërë në shtypin e përditshëm jep përgjigje më të shpejta veçanërisht gjatë ndryshimeve intensive duke zënë vendin e ambulancave shoqërore. Poezia dhe imazhi mbeten ato që të mësojnë lirinë. Por ‘Njeriu si një tjetër’ tregon një liri tjetër, sa personale, sa kolektive”, përfundon Lako për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë