Çështja e pushtetit midis Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio dhe Donald Trump u vendos që në zgjedhjet paraprake të republikanëve amerikanë në vitin 2016. Senatori republikan i atëhershëm 44-vjeçar nga Florida hyri në fushatën parazgjedhore të partisë së tij si shpresa e një "gjenerate të re". Rubio kishte fituar reputacion si kundërvënës i moderuar ndaj pozicioneve ekstreme të fituesit përfundimtar Donald Trump, i cili hyri në garë nga jashtë.
I lindur në Miami si bir i emigrantëve kubanezë - babai punonte si banakier, nëna si pastruese - Rubio donte të mishëronte idealin e "ëndrrës amerikane" të avancimit në shoqëri si politikan. Megjithëse fillimisht sondazhet ishin premtuese, senatori Rubio u detyrua të braktiste garën presidenciale në mars 2016, pas një humbjeje të qartë në shtetin e Floridës kundër Donald Trump-it. Gjatë fushatës para zgjedhore ai e kishte përshkruar Trumpin si një "diktator të botës së tretë". Por pavarësisht humbjes kundër Trumpit, të cilin ai e quajti gjatë fushatës një "mashtrues që nuk do ta kontrollojë kurrë partinë", fushata forcoi imazhin kombëtar të Rubios dhe rolin e tij si një zë i fuqishëm brenda partisë republikane.
Trumpi e quan "Marko i vogël"
Përkundër faktit se Trump e talli Marco Rubion, si "Marko i vogël" gjatë fushatës parazgjedhore, më pas pati përputhje të fortë mes dy politikanëve për çështjet e politikës së jashtme gjatë mandatit të parë të Trumpit në detyrë. Rubio shërbeu në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Komitetin e Inteligjencës, dhe ashtu si Trumpi, mbrojti një vijë të ashpër politike ndaj Kinës dhe një qëndrim konfrontues kundër regjimeve autoritare si Irani, Venezuela dhe Kuba. Qëndrimi i tij pro-izraelit dhe afërsia me kryeministrin Benjamin Netanyahu krijon gjithashtu një lidhje ideologjike me presidentin e ri të SHBA.
Nga ana tjetër Rubio ka shprehur kritika për politikën e NATO-s të ndjekur nga Trumpi dhe marrëdhëniet e tij me Vladimir Putin në të kaluarën. Kredon e tij - një politikë të jashtme ndërhyrëse, ai e favorizoi për shumë vite.
Ruajtja e distancës
Nga ana tjetër Rubio nuk i miratoi gënjeshtrat e Trumpit për "zgjedhjet e vjedhura" në vitin 2020 - dhe e dënoi qartë mësymjen mbi Kapitolin. Por përsa i përket politikës së jashtme, megjithatë, politikani ndryshoi gjatë këtij viti zgjedhor dhe iu afrua më shumë qëndrimit izolues të shefit të tij të ardhshëm, Trump. Ai votoi në Senat kundër zgjerimit të ndihmës për Ukrainën dhe tani llogarit me një fund të shpejtë të luftës: "Unë nuk jam në anën e Rusisë - por fatkeqësisht realiteti është se lufta në Ukrainë mund të përfundojë vetëm përmes një zgjidhjeje të negociuar", tha Rubio në një intervistë për NBC.
Marco Rubio duke folur para publikut në skenëMarco Rubio duke folur para publikut në skenë
Presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump tani nuk i kursen lëvdatat për sekretarin e tij të ardhshëm të Departamentit të Shtetit: "Ai do të jetë një avokat i fortë për kombin tonë, një mik i vërtetë i aleatëve tanë dhe një luftëtar i patrembur, i cili kurrë nuk do t'u shmanget kundërshtarëve tanë”, tha Trump në një deklaratë.
Kritika ndaj Gjermanisë
Rubio nuk ka gjasa të jetë një partner i lehtë për qeverinë federale gjermane. Politikani amerikan i ka kritikuar vazhdimisht kompanitë gjermane që ende investojnë në Kinë. Ashtu si shefi i tij i ardhshëm, Rubio po kërkon që evropianët të rrisin masivisht shpenzimet e mbrojtjes. Qëndrimi i tij: Anëtarët evropianë të NATO-s do të duhet të rrisin pjesën e tyre të përgjegjësisë së mbrojtjes, SHBA nuk mund të paguajnë vetëm për mbrojtjen e Evropës.
Kurse në lidhje me konfliktin në Ukrainë, ministri i Jashtëm i ardhshëm amerikan, do të donte që Gjermania të luante një rol më aktiv. Rubio e ka kritikuar Berlinin disa herë në të kaluarën për mbështetjen e tij fillimisht hezituese për Ukrainën, por ka nënvizuar edhe rëndësinë e Gjermanisë për sigurinë evropiane. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha kritikat për çështje individuale, eksperti me përvojë i politikës së jashtme Rubio ka shumë të ngjarë të jetë mjaft i interesuar për të punuar ngushtë me Gjermaninë dhe partnerët e tjerë evropianë./DW
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.