Futboll

Nga Lushta te Cana, Tare e deri tek Asllani: Ambasadorët kuqezi të klubeve elitë në Europë!

Gazeta Si – Një futbollist shqiptar do të vendosë firmën e tij në një titull kampion jubilar për Interin, të 20-in, apo titullin e yllit të dytë. Kristjan Asllani po luan titullar me ekipin italian dhe kjo është një arritje e madhe, aq më tepër në moshën 21-vjeçare. Ai ka shijuar tashmë edhe golin e parë zikaltër.

Asllani është një nga ata që bëjnë krenarë gjithë shqiptarët, tifozë apo jo me Interin. Luan në një klub elitar europian dhe kaq mjafton. Mesfushori i Kombëtares është ambasadori i fundit kuqezi i një liste të kufizuar të atyre që kanë pasur fatin të jenë pjesë e klubeve big në Europë. Me imazhin e tyre sportiv dhe jo vetëm, kanë përmirësuar edhe imazhin e Shqipërisë.

Tare dhe Cana te Lacio

Fjala është për klube me emër të 5 kampionateve më të forta të kontinentit: Itali, Gjermani, Spanjë, Angli dhe Francë. Para tij ka edhe të tjerë, në kohë të ndryshme.

Lushta dhe Kryeziu të parët
Të parët shqiptarë që kanë veshur fanella ‘të rënda’ europiane janë Riza Lushta dhe Naim Kryeziu. I pari me Juventusin në periudhën 1940-45 dhe i dyti me dy ekipe të tjera të mëdha në Itali, si Roma dhe Napoli. Janë emra që kujtohen gjithmonë për atë që kanë dhënë në ato kohëra në shtetin fqinj.

Boom-i pas viteve ‘90
Për të ardhur në periudhën pas viteve 1990, ku në Shqipëri erdhi demokracia dhe u hapën dyert europiane edhe për futbollistët më të spikatur shqiptarë, kryesisht ata që ishin pjesë e Kombëtares. Duke qëndruar tek emrat big, mund të përmenden dy ambasadorët kuqezi të PSG-së, Edvin Murati dhe Lorik Cana. Murati ishte pjesë e kësaj skuadre në kohën kur ajo bazohej te disa lojtarë amerikano-jugorë, me në krye brazilianin Rai.

Murati kur luante me PSG-ne

Lorik Cana është një rast i veçantë, sepse ka veshur fanellat e dy emrave big në Francë. Pas PSG-së ai kaloi tek Olimpiku i Marsejës, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit dhe arriti kulmin e karrierës së tij. Cana është ‘rekordmen’ për aktivimin me emrat e mëdhenj, pasi ka luajtur edhe me Lacion në Itali. Me këtë skuadër kanë luajtur dhe Igli Tare, Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha.

Ambasadorët e sotëm
Për të ardhur në kohët e sotme, ku tre nga lojtarët e Kombëtares janë pjesë e klubeve të elitës në Europë. Kristjan Asllani është në momentin e tij më të mirë që pas kalimit nga Empoli tek Interi. Jo më kot ka marrë edhe vëmendjen mediatike në Itali dhe në Shqipëri. Për momentin, është ai ambasadori më i suksesshëm shqiptar në Europë.

Asllani shenon ndaj Xhenoas

Armando Broja dhe Marash Kumbulla janë huazuar te Fulhemi dhe Sasuolo, por i pari është në pronësi të Çelsit dhe i dyti në pronësi të Romës. Janë edhe këta dy të rinj me të ardhme të sigurt, por për fatin e keq kanë pësuar dmëtime që i kanë mbajtur jashtë fushave për një kohë të gjatë dhe tani kërkojnë rikthimin si më parë. Kanë kaluar situata të vështira, duke vënë në diskutim edhe pjesëmarrjen në Europianin e Gjermanisë.

Rei Manaj, që tani po shkëlqen në Turqi, ka pasur fatin të luajë për emra big, si Interi dhe Barcelona. Nuk ka lënë gjurmë me këto skuadra, por fakti që ato e kanë vlerësuar, duke e përfshirë në organikën e tyre, tregon kualitetin që ka sulmuesi me origjinë nga Lushnja. Keidi Bare po ashtu fillimete tij në Spanjë i pati tek Atletiko Madrid.

Shqiptarët e klubeve të mëdha europiane
Riza Lushta – Juventus
Naim Kryeziu – Roma, Napoli
Edvin Murati – PSG
Lorik Cana – PSG, Olimpikë Marsejë, Lacio
Igli Tare – Lacio
Etrit Berisha – Lacio
Tomas Strakosha – Lacio
Rei Manaj – Inter, Barcelona

Keidi Bare – Atletiko Madrid
Armando Broja – Çelsi
Marash Kumbulla – Roma
Kristjan Asllani – Inter

Të tjerë shqiptarë në klube të mëdha
Ka edhe shumë futbollistë të tjerë shqiptarë që kanë luajtur për klube të mëdha, por që nuk janë pjesë e kampionateve elitare në Europë. Duke filluar nga Sulejman Demollari, që ka bërë histori në Rumani me Dinamon e Bukureshtit.

Bledar kola me Panathinajkosin

Foto Strakosha dhe Bledar Kola kanë veshur fanellat e dy prej klubeve më të mëdha në Greqi, të Olimpiakosit ish-portieri dhe të Panathinajkosit ish-mesfushori lezhjan. Për të kaluar në Bullgari, ku Alban Bushi dhe Altin Haxhi kanë luajtur për Liteks Loveç.

Në Gjermani, Altin Lala arriti të bëhej edhe kapiten i Hanoverit. Ervin Skela dhe Geri Çipi kanë veshur fanellën e Eintraht Frankfurtit, kurse Altin Rraklli ka luajtur për Frajburgun dhe Unterhaking. Besnik Hasi, kosovari i parë që luajti për fanellën kuqezi, ka qenë pjesë e ekipit të madh belg të Anderlehtit. Erjon Bogdani luajti shumë vite në Itali, por me ekipe të dorës së dytë, si Rexhina, Siena, Verona e Livorno.

Nga lojtarët aktualë, mund të përmendim Berat Gjimshitin, që prej disa sezonesh luan me Atalantën dhe ka shkuar në Champions me të. Po ashtu, edhe Beshiktashi është një klub i madh, që për Ernest Muçin shpenzoi jo pak, por 10 milionë euro.

Shqiptarët e tjerë të klubeve të mëdha
Sulejman Demollari – Dinamo Bukuresht
Foto Strakosha – Olimpiakos
Bledar Kola – Panathinajkos
Besnik Hasi – Anderleht
Ervin Skela – Eintraht Frankfurt
Geri Çipi – Maribor, Eintraht Frankfurt
Altin Lala – Hanover
Ernest Muci – Beshiktash

Igli Tare, një ambsador i dyfishtë
Nga të gjithë ambasadorët kuqezinj në Europë ai i Igli Tares është një profil ndryshe. Përveçse ka luajtur për skuadra si Kajzerslautern në Gjermani dhe Breshia, Bolonja e Lacio në Itali, ai ka bërë karrierë të madhe edhe si drejtues sportiv.

Igli Tare, ish-drejtori sportiv i Lacios

Për 18 vjet Tare ka mbajtur postin e drejtorit sportiv të Lacios dhe ka marrë vlerësim të ndryshme. Ka bërë transferime të bujshme lojtarësh, që Lacio i ka shitur më pas me vlera shumë më të larta. Tani e kërkojnë Fiorentina dhe Napoli, çka tregon qartë se drejtuesi shqiptar është nga më të mirët në treg.

Për sa i përket suksesit të dyfishtë, në fushë dhe si drejtues teknik më pas, kemi edhe Hasin. Gjakovari, pas kontributit në fushën e blertë, ka qenë trajner i skuadrave të mëdha, si Anderlehti, Legia e Varshavës dhe Olimpiakosi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë