Gazeta Si - Zbërthimi i aplikacionit “Sky ECC” ka ndihmuar Prokurorinë e Posaçme të zbulojë dhjetëra grupe kriminale, por prangosja e Jurgis Çyrbjes është rasti i parë në Shqipëri për një politikan të niveleve të larta.
Pikërisht përmes përgjimeve të këtij rrjeti ndërkombëtar të ofruar nga autoritetet franko-belge, ish-deputeti socialist u zbulua se komunikonte me bosë të krimit në vend dhe dekonspironte aksionet e policisë.
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se ndaj Jurgis Çyrbjes rëndojnë 7 vepra penale, të cilat i ka kryer gjatë kohës që ka qenë deputet në Parlament.
Me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, e cila ka njohur si të ligjshme përgjimet e këtij aplikacioni, gjithnjë nëse gjykatat shqiptare do t’i pranojnë si të vlefshme, SPAK ka në dorë një provë të fortë për të hetuar dhe dënuar çdo zyrtar të lartë apo individ të krimit të organizuar.
Padia e biznesmenit Pëllumb Gjoka për të rrëzuar provat e përftuara nga ky aplikacion si të paligjshme, nuk është marrë ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Të dhënat e këtij aplikacioni të poseduara tashmë nga SPAK për dhjetëra persona të dyshuar, kishin zbuluar më herët edhe zyrtarë të lartë në gjyqësorin shqiptar, aktualisht në hetim. Bëhet fjalë për prokurorë, gjyqtarë apo shefa policie të dyshuar si të përfshirë me grupet kriminale.
Xhevahir Lita
Ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, aktualisht ndodhet në burg si i pandehur për dosjen "Metamorfoza".
SPAK po e heton për korrupsion në dy raste si dhe për nxjerrje të akteve e të dokumenteve sekrete, të dyja këto vepra të kryera në bashkëpunim, të zbuluara përmes aplikacionit “SKY ECC”.
Nisur nga të dhënat e siguruara në aplikacionet e koduara ose të sigurta SKY dhe EnchroChat, SPAK e akuzon Litën se ka marrë para në këmbim të informacioneve të hetimit për persona të përfshirë në krimin e organizuar, si dhe i ka orientuar se si të japin deklarime në polici.
Aurel Zarka
Në 29 korrik të këtij viti, një muaj pasi kaloi me sukses Vettingun, prokurori i Vlorës Aurel Zarka u arrestua me urdhër të SPAK, i akuzuar zyrtarisht për veprën penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga funksionarët publikë.
Dyshohet se Zarka bashkë me ish-oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe Astrit Vladin, akuzohen se kanë ndërhyrë, marrë ryshfet dhe dhënë ryshfet funksionarëve në 8 çështje penale, 4 nga të cilat lidhen me dosjen "Toyota Yaris".
Dosja për prokurorin e Vlorës, nisi pas përgjimeve në aplikacionin SKY ECC, ku Zarka ka qenë përdorues me të paktën 4 kode dhe dyshohet se ka favorizuar personazhe të botës së krimit.
Kjo dosje lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur ish-Prokuroria për Krimet e Rënda hetoi rastin e sekuestrimit të një shumë prej 3.4 milionë euro të bllokuara në Portin e Durrësit, në bordin e një automjeti “Toyota” të mbërritur nga Belgjika.
Kanë qenë hetuesit belg, të cilët gjatë zbërthimit të komunikimve, kanë zbuluar se Zarka ka ndërhyrë në lehtësimin e pozitave për një person të përfshirë në një nga fraksionet e dosjes “Toyota Yaris”.
Ish-gjyqtarë dhe ish-shefa policie
Mes personave të thirrur në SPAK për çështjen “Toyota Yaris”, të dalë nga “Sky ECC”, është edhe ish-gjyqtari i Tiranës, Besnik Hoxha.
Sipas burimeve, ish-gjyqtarit iu lakua emri në bisedat e aplikacionit "Sky Ecc", se mund t’i jepte zgjidhje çështjes.
Njëri nga të dyshuarit e quan "Beso grupi" dhe kur bashkëbiseduesi e pyet se kush është, ai merr përgjigjen, "Besnik Hoxha shkodrani".
Mes dhjetëra oficerëve të policisë që u ka dalë emri në rrjetin ndërkombëtar të përgjimeve, ai që spikat është Oltion Bistri.
Ish-shefi i Njësisë Operacionale në Shkodër u arrestua rreth një vit më parë në kuadër të dosjes së ashtuquajtur “Metamorfoza”, ku nga komunikimet në rrjetin “Sky”, doli se kishte kontakte dhe dyshohet se favorizonte biznesmenin Pëllumb Gjoka, edhe ky i arrestuar.
Bistri akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit shtetëror. Grupi u zbulua pas zbërthimit të mesazheve që ata kishin shkëmbyer në aplikacionet "SKY ECC" të përdorur gjerëisht nga personzhe të botës së krimit. E.A
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.