Media Galeri

Nga Kryemadhi, tek Noka që kërkon lirimin e Berishës e deri tek Xhaçka dhe Ndreca, të gjithë para Dumanit tek Ligjet   

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, raportoi të mërkurën në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për punën e SPAK gjatë vitit 2023.

Në këtë  mbledhje nuk pati mungesa nga deputetët as nga ata, familjarët e të cilëve janë në hetim.  

Një prej anëtarëve të këtij komisioni ishte ish-ministrja dhe deputetja socialiste Olta Xhaçka.

SPAK është duke hetuar çështjen e bashkëshortit të Xhaçkës, ish-deputetit socialist Artan Gaçi, i cili u shpall investitor strategjik për të ndërtuar resortin “Dreamades Luxury Suites” në fshatin Gjilekë të Himarës.

Përveç Xhaçkës edhe deputeti tjetër i PS-së Eduard Ndreca ishte në mbledhje si pjesë e Komisionit Ligjeve.  Vëllai i deputetit Armando Ndreca dhe djali i xhaxhait të tij, Elvis Ndreca janë arrestuar pak ditë më parë në kuadër të operacionit të fundit të ndjekur nga vetë Altin Dumani dhe Alfred Shehu.

Në mbledhje nuk mungoi as Monika Kryemadhi edhe ajo disa herë është thirrur nga SPAK.

Gjatë raportimit të Dumanit, Kryemadhi u pa duke biseduar vesh me vesh me deputetin e PD-së, Flamur Noka, i cili kishte veshur një bluzë me mbishkrimin: ‘Lironi liderin e opozitës’, një mënyrë sfide ndaj kreut të SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë