1960: Debati i parë televiziv vuri përballë njëri-tjetrit kandidatin demokrat, John F. Kennedy, dhe zv/ presidentin republikan, Richard Nixon, i cili sapo kishte dalë nga spitali dhe u shfaq i parruar, pasi kishte refuzuar makijazhin. Rreth 70 milionë shikuesit u përqendruan në atë që panë, dhe jo në atë që dëgjuan. Kennedy fitoi zgjedhjet.
Joe Biden dhe Donald Trump do të përballen në një debat presidencial, më 27 qershor, para zgjedhjeve të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, pjesë e një tradite të karakterizuar nga disa prej momenteve më të veçanta të historisë politike moderne amerikane. I hedhim një vështrim retrospektiv disa prej përballjeve klasike dhe deklaratave që i veçuan ato./REL/
1976: Në debatin e parë televiziv në 16 vjet, demokrati Jimmy Carter u ballafaqua me presidentin republikan, Gerald Ford, që kishte marrë detyrën pa fituar zgjedhje. Një deklaratë që ai bëri, u pa si gafë e madhe. Ford tha: “Nuk ka dominim sovjetik të Evropës Lindore, dhe nuk do të ketë kurrë gjatë administratës Ford”. Carter fitoi zgjedhjet.
1980: Carter u paraqit në një debat të dytë me republikanin Ronald Reagan, pasi bojkotoi të parin, për shkak të përfshirjes së një kandidati nga partia e tretë – John Anderson. Presidenti akuzoi Reaganin se planifikonte të shkurtonte financimin për planin e përkujdesjes shëndetësore, Medicare, për amerikanët nga mosha 65-vjeçare. Reagan, i cili më parë ishte ankuar se Carter i kishte keqinterpretuar qëndrimet e tij mbi një varg çështjesh, tha: “Ja, përsëri”, dhe qeshi, duke nxitur të qeshura në audiencë dhe duke krijuar një frazë të popullarizuar. Reagan fitoi zgjedhjet.
1984: Reagan, 73 vjeç, me sukses minimizoi çështjen e moshës së tij, kur debatoi me demokratin Walter Mondale, 56-vjeçar, duke thënë: “Dua që ta dini se as unë nuk do ta bëj moshën çështje fushate. Nuk do ta shfrytëzoj, për qëllime politike, moshën e re dhe papërvojën e kundërshtarit tim”. Reagan u rizgjodh.
1988: Një debat kundër nënpresidentit republikan, George H. W. Bush, u hap me pyetjen ndaj demokratit Michael Dukakis nëse ai do të përkrahte dënimin me vdekje për dikë që kishte përdhunuar dhe vrarë bashkëshorten e tij. Pyetja i ofroi kandidatit, të cilin kritikët e quanin “i akullti”, një rast për të shfaqur anën e tij emocionale. Përgjigja e tij e gjatë bëri pikërisht të kundërtën. Bush fitoi zgjedhjet.
1988: Debati mes kandidatëve për nënpresident u nxeh kur Dan Quayle, zëvendësi i propozuar i Bushit, krahasoi veten politikisht me John F. Kennedyn. Demokrati Lloyd Bentsen u përgjigj me një ton të qetë dhe bindës: “Senator, unë kam shërbyer me Jack Kennedyn. E njihja Jack Kennedyn. Jack Kennedy ishte mik i imi. Senator, ti as nuk i afrohesh Jack Kennedyt”.
1992: Tre kandidatë – Bush, demokrati Bill Clinton dhe i pavaruri Ross Perot – zunë skenën e debatit. Zgjedhjet i fitoi Clinton.
1996: Në një debat me Clintonin, republikani Bob Dole u pyet nga një student nëse ai, në moshën 73-vjeçar, e ishte shumë i vjetër për të kuptuar nevojat e të rinjve. Ai u përgjigj duke thënë se në moshën e tij, inteligjenca dhe përvoja nënkuptonin se ai kishte përparësinë e urtisë. Clinton komentoi: “Unë vetëm mund t’ju them se nuk mendoj se senatori Dole është shumë i vjetër për t’u bërë president. Është mosha e ideve të tij që unë e vë në pikëpyetje”. Clinton u rizgjodh.
2000: Në debatin e tij të parë me republikanin George W. Bush, nënpresidenti demokrat, Al Gore, u kritikua për psherëtimat e tij teksa Bush fliste. “Ne të gjithë bëjmë gabime. Unë njihem për sakatimin e një apo dy rrokjeve”, tha Bush gjatë debatit të tyre të dytë, duke shqiptuar qëllimisht gabimisht fjalën “rrokje”. Bush fitoi zgjedhjet.
2004: Debati i fundit ndërmjet Bushit dhe demokratit John Kerry u ofroi votuesve një kontrast të ashpër stilesh, teksa Bush bëri argumente të thjeshta, përderisa Kerry lëshoi një lumë faktesh për të arsyetuar qëndrimet e tij. Bush u rizgjodh.
2008: Sarah Palin, zëvendëse e propozuar e John McCainit, dhe Joe Biden, i propozuar për zëvendës të demokratit Barack Obama, u përballën për ekonominë dhe për Irakun, gjatë një debati të gjallë por miqësor mes kandidatësh për nënpresident. Palin vazhdimisht shfaqi një stil popullor. Në një moment, ajo tha: “Ou, thuaj se s’është kështu, Joe”, duke shtuar një “dreqi e marrtë”. Si Biden, ashtu edhe Palin u zotuan që do ta bënin politikën ekonomike amerikane më të favorshme për punonjësit e shtresës së mesme, por Biden tha se McCain i kishte cilësuar shtyllat e ekonomisë të forta në kohën kur shpërtheu një krizë financiare. Dyshja Obama-Biden fitoi zgjedhjet.
2012: Obama çaloi në debatin e tij të parë me republikanin Mitt Romney, duke befasuar dhe duke brengosur mbështetësit e tij. Por, në debatin e tyre të dytë, Romney, duke iu përgjigjur një pyetjeje për hendekun gjinor në paga, tha se kishte “dosje plot me emra grash” si kandidate për poste në kabinet. Fraza u bë e popullarizuar në mediat sociale, teksa përdoruesit u tallën me Romneyn. Obama fitoi përsëri.
2016: Debati i parë ndërmjet biznesmenit Donald Trump dhe ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, tërhoqi 84 milionë teleshikues në SHBA – rekord për një debat dhe shifër e rrallë në një kohë transmetimesh digjitale. Një shkëmbim fyerjesh dominoi debatin e tyre të dytë, teksa demokratja sulmoi republikanin për komentet e tij të natyrës seksuale për gratë. Trump u mundua të shmangë sulmet, duke akuzuar Bill Clintonin, bashkëshortin e kundërshtares, për sjellje më të këqija përballë grave. Në librin e saj, të publikuar më 2017, Clinton shkroi se, në debatin e tyre të dytë, Trump e kishte tmerruar duke i shkuar prapa në skenë, dhe se ajo kishte menduar t’i thoshte atij “mos m’u afro, ore bastard”. Në debatin e tretë, Trump e quajti Clintonin “grua kaq e keqe”, dhe refuzoi të thoshte se do ta pranonte rezultatin.
2020: Përballë në rënieje në sondazhe, presidenti i atëhershëm Trump u paraqit në debatin e tij të parë me Bidenin, ish-nënpresidentin, me shpresë për një luftë me të. Por, armiqësia e tij iu kthye kundër. Ai vazhdimisht ndërpreu Bidenin dhe moderatorin e debatit, Chris Wallace, sa që e tërë ngjarja doli jashtë kontrolli. Trump sulmoi familjen e Bidenit. Sondazhet e kryera pas debatit treguan se votuesve të pavendosur u kishte penguar sjellja e tij. Në një moment, kur Trump po e ndërpriste atë, Biden i tha: “A mund ta mbyllësh gojën, or burrë? Kjo është sjellje aq jopresidenciale”. Trump më vonë do të anulonte pjesëmarrjen në debatin e dytë.
2020: Në debatin mes kandidatëve për nënpresident, atë vit, një mizë e mori përkohësisht vëmendjen nacionale, kur u ndal në flokët e thinjura të nënpresidentit Mike Pence, teksa ai debatonte me rivalen e tij demokrate, senatoren Kamala Harris.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.