Radhët e gjata ia kanë lënë vendit doganës së boshatisur dhe aplikimeve online, të cilat janë të bllokuara deri në 31 nëntor.
Kjo është situata këto ditë në doganën e Kapshticës, ku pavarësisht nevojës dhe dëshirës së shumë njerëzve për të kaluar në anën tjetër të kufirit, shumë pak arrijnë të largohen, për shkak të kufizimeve të vendosura nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19.
Megjithatë radha e njerëzve që duan të ikin ka ngecur online: https://travel.gov.gr/#/user/login
Asnjë person që kërkon të ikë nuk mund të aplikojë deri në 31 nëntor, pasi vendet janë të zëna dhe faqja del e bllokuar, me përjashtim, nëse e bën këtë përmes një agjencie udhëtimi autobusësh.
“Situata është shumë e keqe. Duhet të udhëtoj se s’bën, por e kam gati të pamundur këto ditë”,- shprehet P.Sh. një shqiptar, emigrant, i cili erdhi për të qëndruar disa kohë pranë prindërve të tij dhe tani e ka të vështirë të kthehet në Greqi.
“Në fillim të shtatorit, miq të mi e patën po ashtu të vështirë të iknin, për shkak të radhës që ishte në doganë dhe se u skadonte tamponi, por arritën të iknin, duke dhënë ryshfet në dorë te pika e kalimit. Di edhe që të tjerë kanë marrë përgjigje të analizave të tamponit, duke paguar po në doganë, me një çmim të përgjysmuar, pa bërë vërtet tamponin në pikat e certifikuara”, – vijon P.Sh., ndërsa hedh sërish hije dyshimi për korrupsion, ndërsa thotë se është çmenduri, që askush nuk mund të udhëtojë përveçse me autobusë, pavarësisht se kuota e kalimit prej 300 personash në ditë nuk plotësohet.
Edhe K.C., i cili punon si shofer pasagjerësh për linjën Shqipëri-Greqi mendon se ka diçka që nuk shkon dhe ka korrupsion.
“Ka mbi një javë kështu, në këtë gjendje. Deri 31 nëntor janë të bllokuara aplikimet. Dua të iki dhe nuk bëj dot aplikim. Kapshtica i ka bllokuar komplet kalimet dhe vetëm autobusët mund të aplikojnë dhe të ikin. Edhe të dua të iki, me letra dhe me karta greke nuk iki dot.
Po të shkosh në agjencinë e autobusëve të marrin biletën dhe të kalojnë, ndërsa kur e bën vetë online del e bllokuar. Autobusët ikin që në 4-5 të mëngesit e deri në orët e para të mëngjesit. Pas mëngjesit gjithçka është shkretëtirë. Mendoj se ka korrupsion. Ka mbi një javë kështu, në këtë gjendje. Ka edhe nga ata persona, që u janë djegur tamponët për shkak të mungesës së aplikimeve”, shprehet ai për gazetën “Si”.
Edhe për L.S., një shitës ambulator në doganë, në zonën e kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë situata është shumë e keqe.
“Është e keqe për të gjithë. Pas orës 9 apo 9:30 maksimumi nuk sheh asnjë këmbë njeriu në doganë. Askush nuk mund të kalojë kufirin përveçse duke aplikuar online dhe kuota e përcaktuar është 300 aplikime në ditë. Gjatë ditës kufirin e kalojnë vetëm 3-4 autobusë me 20-25 vetë në çdo autobus.”, thotë L.S., ndërsa shton se mendohet që me shpresë rregullat mund të ndryshojnë pas 12 apo 17 tetorit.
“Pavarësisht kërkesave të mëdha për të ikur asgjë nuk ka ndryshuar numrin e aplikimeve brenda një dite: 300 aplikime në ditë në doganën e Kapshticës dhe 750 në doganën e Kakavijës.”
Problemet me kalimin e njerëzve në doganën e Kapshticës dhe të Kakavijës filluan kur autoritetet greke nisën zbatimin e masave të reja për qytetarët që duan të hyjnë në Greqi.
Nga 16 gushti në doganën e Kapshticës nuk lejohen të kalojnë më shumë se 300 persona në ditë.
Ndërkohë, duke filluar nga 1 korriku 2020, qeveria greke ka përcaktuar se si vendi do të mirëpresë udhëtarët, që vijnë nga vende të tjera, të cilët duhet të kryejnë kontrollin e nevojshëm diagnostikues për dhe t’i mbajë të gjithë të sigurt gjatë gjithë sezonit.
Kushdo që udhëton drejt Greqisë duhet të plotësojë formën e Lokatorit të Pasagjerëve (PLF), një ditë para hyrjes në Greqi, duke siguruar informacion të detajuar mbi pikën e nisjes, kohëzgjatjen e qëndrimit të mëparshëm në vendet e tjera dhe adresën e qëndrimit të tyre gjatë qëndrimit në Greqi.
PLF mund të gjendet gjithashtu në aplikacionin Visit Greece dhe në travel.gov.gr. B.Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




