Para

Nga grupet kriminale tek funksionarët e lartë, skemat e pastrimit të parave në Shqipëri

Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia e Inteligjencës Financiare ka raportuar skemat më të shpeshta të pastrimit të parave në vend. Raporti tregon se në pothuajse të gjitha rastet ka përfshirje të shtetasve të huaj që synojnë Shqipërinë si “lavatriçe” të parave që ata kanë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Në raportin e 2024-s, AIF nuk jep detaje për pastrimin e parave me anë të kriptomonedhave.

E para është ajo e aktivitetit fiktiv nga një kompani shqiptare që merr fonde nga subjekte të huaja, kryesisht ishujt e njohur për skemat offshore. Një rast i raportuar është transferimi i 10 milionë eurove nga ishujt Kajman e Panama drejt një kompanie fiktive në Shqipëri, që nuk kishte aktivitet.

Një nga tipologjitë e preferuara mbetet ajo e investimit në pasuri të paluajtshme, blerja me një çmim më të ulët se tregu dhe shitja me një çmim shumë herë më të lartë.

Një nga rastet e referuara për hetim është edhe një ish-funksionar i Drejtësisë, që dështoi të kalonte Vettingun dhe pak vite pas largimit nga profesioni rezulton të ketë blerë disa prona të patundshme.

Një funksionar i lartë i shtetit ka përfituar nga familjarët e tij 22 pasuri të patundshme dhe më shumë se 350 mijë euro vlerë monetare, në një skemë dhurimi dhe shitje aksionesh. Sipas AIF, funksionari është nën akuzë të pastrimit të parave.

Aktiviteti i Forex, mashtrimi në call center mbetet po ashtu një ndër tipologjitë më të përdorura të pastrimit të parave, ku shpeshherë ortakët janë të përfshirë edhe në aktivitete kriminale.

Skemat e mashtrimit “Ponzi” janë po ashtu të përhapura, thotë raporti dhe dyshohet se personat e përfshirë kanë përfituar deri në 40 milionë euro.

Një tjetër rast është ai i aktivitetit tregtar online, ku një subjekt kishte në llogaritë bankare 6 milionë euro, me fitim të 30fishuar vitin e fundit. Burimi i fondeve në të gjitha këto transferta ishte nga individë të cilët nuk ishin të identifikueshëm nga vende jashtë Shqipërie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë