Nga Edmond Prifti
Dikur toka mes Durrësit, apo Dyrrahun të vjetër, e më poshtë, deri në Karaburun (Qafa e Cezarit, midis Palasës e Orikumit), ishte një tokë që u përcëllua, u dogj dhe la pas mbi 900 ushtarë e 200 kalorës, kur më 10 korrik të vitit '48 para erës sonë, në ato troje të “tarracës së Adriatikut”, u zhvillua një nga betejat më të mëdha; ajo mes gjeneralit Gnaeus Pompeius Magnus (Pompeo) e rivalit të tij, gjeneralit, Gaius Julius Caesar (Jul Cezari). Ajo zonë e kësaj beteje, sipas Ciceronit, ndodhet sipas gjithë gjasave nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, por sot, nuk ka më asnjë gjurmë të tyre. Pakkush e di (përveç Meçanit, ish-peshkatarit, e sot kujdestar shkolle) se si ende banorët e Golemit e të kodrave përreth, mbajnë mend se si “eshtrat e romakëve, u morën nga vitet ’60 së bashku me pajisjet e tyre, të rënë në luftën mes dy gjeneralëve”. Në antikitet, një Zot e di, se si mund të ketë qenë ai peizazh, e ai det i mbushur me më shumë se 600 anije, që sulmuan në ato brigje ushtrinë e Cezarit, të fshehur nën llogore. Ajo që dihet është se, nga Shkëmbi i Kavajës (i njohur ndryshe si Petra) e kodrat rrotull saj, prenë me shekuj eshtrat e ushtarëve të besuar të Cezarit, por edhe shumë anale historike të cilat sot, rrallë se i gjen të përshkruara diku. E kështu e nisëm këtë përshkrim, pasi kur thuhet Golem, Qerret e Spille...gati të gjithë të thonë...plazhet, veçanërisht kur ky dielli i gushtit të bie në “çaçkë të kokës”! Shekuj më pas, bonifikimet e agrikultura intensive komuniste, - shtuar këtu ndërtimin e kazermave dhe nënrepartet e baterive bregdetare, - fshinë çdo gjurmë historie, që përmend edhe arkeologu Nertian Ceka në librin “Cezari në Akrokeraune - vende dhe gjurmë”, duke iu referuar L. Hëzeit dhe G. Fait…
Ndërsa në memorien tonë të brezit të dytë, - pak nga kronikat e AQSHF-së, e nga ato pak foto që ende qarkullojnë në rrjetin social Facebook te “Fëmijët e viteve ‘90”, - mbahet mend ende ai brez i gjerë me pisha të kohës së komunizmit, ku kjo zonë, e një duzinë kilometrash poshtë saj, sërish mbetën ushtarake edhe pas shumë shekujve të asaj “lufte gjeneralësh”, që ndryshoi fatin e historisë në antikitet. Hera –herës, nënrepartet e artilerisë bregdetare, tankeve e infanterisë që nga Kepi i Rodonit, deri në Kepin e Gjuzës, e Orikum, ndiqnin apo ishin gati për zbarkimet e diversantëve gjatë kodit të kuq, e njëherazi për të përballuar mjetet e blinduara të revizionistëve imagjinarë, ku përgjatë periudhës së komunizmit u krijua ai brez i dendur pishash nga Durrësi deri në Rrogozhinë (për të cilën do të flasim sot, në “Vende dhe udhëtime”). Ende edhe sot, bunkerë të shumtë ndodhen të fundosur në vijën bregdetare nga Qerreti deri në Spille, por edhe më gjerë nga një tjetër armik, erozioni...
Pak për Kavajën
Të pakta, apo të papërmendura shumë pak, janë të dhënat që mund të gjenden sot, në se do flasim për periudhën e antikitetit, ku qyteti i Kavajës, - i ndodhur 20 kilometra në jug të gjirit të Durrësit e deri tek Shkëmbi i Kavajës, (ndarja e fundme administrative ka rritur sipërfaqen e saj) - “të shquhet” për këtë lloj turizmi, arkeologjik, edhe si një nga nyjet lidhëse kryesore të rrugës Egnatia. Ngaherë këtu, historinë e bëjnë të huajt ashtu si edhe italiani Gulio di Marco, një nip i Iliaz Baznës, apo shqiptarit spiun gjatë luftës së Dytë Botërore, që e ka përshkruar këtë rrugë dhe na ka treguar për urat e lashta romake që ende ruhen në zonën e Claudianës, apo Peqinit të sotëm dhe për vendet e mrekullueshme që përshkroi për disa ditë rresht, duke u nisur nga Durrësi. Shenjat, deri diku janë të dukshme edhe sot pranë kësaj rruge antike, duke nisur nga kalaja e para erës sonë e Zig-Xhafajt, - si e vetmja kala ilire në rrethin e Durrësit - e quajtur “Arnsia’, e shekujve IV-II-të para erës sonë, por edhe shenjat tejet të dukshme të rrugës Egnatia, të përshkruara që herët, në vitin 1920 në veprën “Myzeqeja dhe Mallakastra”, nga studiuesi austriak Camillo Praschniker, rrugë, e cila kalon paralel me bregdetin e Durrësit, për tek Shkëmbi i Kavajës, Kavajë, e më pas drejt Harizaj e Rrogozhinës, ku përgjatë Luftës së Parë Botërore, austriakët vendosën shinat e hekurudhës me binarë të gjerë 0.65 metra, nga Durrësi për në Kavajë e Peqin. E megjithatë duket se disa syresh e kanë vlerësuar edhe këtë rol historik që mban kjo zonë. Një kompleks turistik i mbushur kryesisht me turistë të huaj, në zonën e Golemit, mban me nder emrin “Porta Kavalja”, apo siç është njohur ndryshe qyteti i Kavajës (Kavalje), ndërsa menyja e këtij restoranti “hapet me periudhën e antikitetit”, nga një artikull i shkëputur i Neritan Cekës (ndonëse pa cilësuar autorin). Por megjithatë, në “Vende dhe Udhëtime”, do të ndalemi gjithashtu edhe tek plazhet e mrekullueshme që të ofron qyteti i Kavajës, aktualisht, - një vijë bregdetare prej 21.5 kilometrash, tejet e frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj, ngaherë e në rritje. Plazhi i Malit të Robit, Plazhi i Gjeneralit, Plazhi i Qerretit, Plazhi i Karpënit, Gjiri i Forsilukut dhe Plazhet e Carinës, e bëjnë Kavajën një vendndodhje të lakmuar për turistët.
Golemi
Menaxherët, e deri tek kamerierët e lokaleve përgjatë plazhit të Golemit, ankohen për rrugën, të cilët e kanë investuar vetë (pronarët e bizneseve, e mbase atyre u kanë ulur edhe rrogën, me këtë rast!), pa ndihmën e Bashkisë. Por megjithatë, ndonëse kafja kushton 100 apo 120 lekë (rrallë, madje shumë rrallë, gjen më lirë), nuk para ndodh të të vijë ndonjë faturë tatimore në dorë. Gjithë ata që tentojnë të hanë ndonjë gjiro, qebap apo sufllaqe, gjysmë kioskave të rrugëve të Golemit, më mirë se domatet, qepët e pa shije e deri tek mustarda, që duket sikur i kanë shtuar ujë...provoni më mirë një pjatë me midhje tek Resorti “Fafa”, me 250 lekë, pjata. Nëse kërkoni të shisni më shumë mend (në fakt, këtu duhet një shprehje tjetër) provoni Gazebot me 50 euro tek “Porta Kavalja”, e çadrat me shezlong prej 20 eurosh, ndërkohë që kur t’iu hahet, lexoni më parë historikun e Kavaljas (Kavajës) tek menyja e restorantit. Por kujdes!
Nuk mund të konsumoni ushqim në pjesën e jashtme, pasi restoranti është i ndarë nga bari, ku çmimet variojnë si për ironi të fatit nga gazebot dhe shezlongët, ku një birrë Kuqalashe, kushton veçse 200 lekë. E në se ju ka marrë malli për fëmijërinë, apo të riktheheni për pak kohë si dikur mund të provoni një xhiro për pesë minuta me makinat me korrent dhe flamuj të ndryshëm, teksa merr rrugën që sheh Durrësin, disa metra larg “Porta Kavaljas”. Ndërtesat në gjithë zonën e Golemit, janë bërë ngjitur me njëra-tjetrën, ndërsa sipas atyre pronarëve të apartamenteve që kanë marrë deri dje me qira banorë nga Tirana apo turistë të huaj, për këta të fundit thonë se, “këtë vit janë zhdukur dhe kanë ardhur shumë pak, pasi i frikësoi çdo ndodhte për zgjedhje”. Ndërsa kur i pyet për çmimet ato shkojnë edhe për një apartament me dy dhoma deri në 25 mijë dita. E nëse nuk ju zë gjumi netëve...mund të shijoni një kafe tek lokali i Gjergjit, më saktë një kioskë në rreth-rrotullimin e Golemit, buzë plazhit, ku Gjergji do t’iu rrëfejë deri në mëngjes, histori të shumta, e deri tek nga fotot e celularit të tij, piktogramet e Kalasë së Sopotit në Librazhd, por ndodh që të takoni aty edhe personazhe të tjerë interesantë, siç janë edhe dy policët e patrullës së policisë që vijnë që pa gdhirë, duke i kërkuar...raki. Në Golem, ndodh jo rrallë të tregohen racist edhe ndaj vëllezërve kosovarë, por së fundmi edhe ndaj turistëve të shumtë polakë (me pak ata gjermanë e nordikë që përzgjedhin pjesën midis Golemit e Qerretit, në resorin “Prestige”, por edhe ato më të reja e luksoze të zonës së Qerretit) që i ndesh jo pak rrallë në këtë zonë, pasi sipas tyre “marrin bukën me vete” dhe kursejnë duke blerë në supermarkete.
Plazhi i Golemit, është i dyti nga madhësia pas atij të Durrësit, duke nisur nga Shkëmbi i Kavajës dhe përfundon tek derdhja e përroit të Leshniqes, në një gjatësi prej 5 kilometrash. Brezi mbrojtës i pishave Pinus halapensis dhe Pinus pinea, të mbjella përgjatë kohës së komunizmit, aktualisht zënë një sipërfaqe prej 205 hektarësh (të shumta janë ato në brezin e mbrojtur që lidh rrugën e vjetër dhe tejet të amortizuar të Golemit dhe Qerretit).
Barrierat detare me gurë (në dukje ura të bukura), si në Golem, por edhe në Qerret, janë krijuar për të larguar sadopak “pushtuesin e ri të bregut”. Pranë vijës ndarëse, të Golemit dhe Qerretit, ndodhet edhe “Prestige Resort”, ku mund të shijoni kafen më të shtrenjtë se uji, ose mund të mahniteni me perëndimin e diellit, nga pishinat luksoze me palma rreth e rrotull. E megjithatë, kudo të zë syri “ura gurësh në brendësi të detit”. Sipas banorëve, por edhe një nga pronarët e lokaleve, ato janë vendosur nga bizneset e zonës, pasi çdo vit deti merr pothuajse 1-2 metra tokë bregdetare. Sipas vetë ministrt Blendi Klosi në një intervistë për AFP-në përgjatë vitit 2017, “nga 427 kilometra vijë bregdetare të Shqipërisë, 154 janë prekur nga erozioni, ndërsa përparimi i detit në zona të tjera ka arritur frikshëm prej rreth 20 metrash në vit”.
Qerreti
Ndryshe nga Plazhi i Golemit, i cili të përngjan me Durrësin e viteve ’90, zhurmat “e jetën e vdekur të mesnatës”, Qerreti është më elitar, madje masivet e pishave nuk janë prerë mizorisht, por ndihet edhe “aroma e luksit” edhe nga ata shumë syresh të turistëve nga vendet nordike, e më gjerë. Madje deri në perëndim të diellit, gjen të zhytur gjatë gjithë kohës në ujë bardhoshë në pishinat e resorteve, ku pronarët e lokaleve apo edhe kamerierët e tyre të rrëfejnë se ata janë shumica dërrmuese e pushuesve, në krahasim me shqiptarët. Netët aty janë të zhurmshme, ku pothuajse çdo një prej tyre ka këngëtarë live.
Në këtë zonë ndodhen resortet e shumta, duke filluar nga “Ada Resort”, apo siç njihet edhe rezidenca e Ismail Kadaresë dhe Julien Roche, apo biznesmenit të famshëm të “Ada Air” dhe ish-pronar i Klan Tv, e deri tek e fundmja e hapur, “Gloria Palace”, pjesë e grupit Harmonia, ku edhe ne ishim prezent në mesnatën e 25 korrikut në këtë kompleks me pesë yje, me 700 dhoma, e më se 400 të punësuar, pas këtij rrugëtimi të gjatë e aventure nga Golemi, Qerreti e Spilleja.
Po aty dëgjojmë live edhe Anxhela Peristerin apo performancën sipër tavolinave të Aurela Gaçes, e mes të ftuarve edhe ish-ministri Ditmir Bushati. Për sa i përket etimologjisë së emrit Qerret, besonim se vjen nga qerret, por faktet historike përmendin se emërtimi vjen nga “Çorne e zezë”, apo shtresë e zezë, e ndodhur jo larg fushës së Karbunarës, dikur një qendër e banuar e Corragumit, e diku më tutje kodra po me të njëjtin emërtim sllav, Cerrag (vend/tokë e zezë).
Rrogozhina, apo flamuri “luledielli”
Qyteti i Rrogozhinës, ka 15.52 kilometër vijë bregdetare, por shumë prej zonave të saj janë të pashfrytëzuara, apo siç pamë edhe përgjatë udhëtimit tonë, krejt “të egra” dhe pa investime (ndonëse as 3-4 kilometra nga vija bregdetare). Udhëtimi ynë ishte një si i tillë i veçantë, duke përshkruar rrugën nga Spilleja për në Greth i mesëm, më tej në Rreth-Greth plazh, e duke vijuar në Rreth-Greth (dikur ish poligon qitjeje), duke dalë përfundimisht nga një “rally” në rrugën lidhëse për në Bashtovë (kur pothuajse kishte kapluar errësira e plotë e rruga-dunë i kalonte gjysmë metrat). Në këto zona, (Greth i mesëm deri në Rreth-Greth Plazh) përveç ndonjë turisti të huaj me rulotë apo shtëpive rulotë prej druri me targa të huaja, i cili kërkon fshehjen mes dunave dhe ne aventurierëve, që nuk ndjekim GPS-in që na drejton majtas...por djathtas, nuk para ndodh të takosh turistë të tjerë. Më pas zhdukesh...ashtu si linja e telefonave celularë.
E megjithatë, Rreth-Greth Plazh, është pjesa më e mahnitshme e kësaj zone, pasi përveç mushkonjave që të sulen llahtarshëm, peizazhi është po aq i bukur në kuptimin e parë të fjalës. Në fund të kësaj zone ndodhen edhe rrjeta peshkatarësh dhe një brez i gjerë i grykëderdhjes së Shkumbinit, paralel me bregun e detit, por edhe pisha me kurora mjaft të bukura që duken të mahnitshme në perëndimin e diellit, pa retushuar aspak foton. Sipas faqes së Bashkisë Rrogozhinë, kjo Bashki ndodhet e pozicionuar midis Durrësit, Lushnjes dhe Elbasanit, një nyje e rëndësishme e korridorit të 8-të, por edhe nga shumë syresh mbahet mend si vendi i ndërrimit të lokomotivave e të pritjes së pafundme të trenave që vinin nga akse të ndryshme të vendit, Rrogozhinë-Durrës, Rrogozhinë-Vlorë, Rrogozhinë-Pogradec. Nëse do shihni ngado një flamur me luledielli, mos u çudisni! Ai është flamuri me logon e Bashkisë së Rrogozhinës, si një qytet i njohur përgjatë kohës së komunizmit, për prodhimin e vajit të lulediellit, si dhe fabrikave të vaj-sapunit, përpunimit të konservave, të makaronave, të pambukut, por edhe për punishten e përpunimit të bimëve mjekësore dhe atyre etero-vajore. Sot të gjitha këto kanë ngelur si memorie arkivore...
Spilleja
Zona, përgjatë kohës së komunizmit, por edhe përgjatë viteve të para të demokracisë, deri në fund të viteve ‘93, është njohur ndryshe edhe si vendi i poligonit kombëtar të stërvitjes së MIG-ëve shqiptarë (Spille/Rreth-Greth). Madje kjo zonë njihet edhe për historinë tragjike të MIG-19-ës që i mori jetën e aviatorit dëshmor, Idriz Hoxha, i cili u rrëzua në Gjirin e Spillesë më 20 gusht të vitit 1993. Pra, zona është pothuajse e virgjër...por një virgjëri, nga ato të njohura ndryshe si një magjepsje, e që të fton me aq dëshirë ditëve, e netëve ajo zhduket, për t’u rikthyer sërish, mbase, në agimet e ditës së re. Ndryshe nga të gjitha ato që përmendëm më sipër, Plazhi i Spillesë, është një ndër mrekullitë e Adriatikut (kryesisht ditët me diell). Këtu, pothuajse nuk është prerë asnjë nga masivet e pishave, e gjenden kudo vrojtuesit e plazheve, por edhe pastërti, tabela të mëdha informuese, e madje edhe vende ndërrimi për rrobat e banjave (askund nuk pamë të tilla në Golem dhe Qerret) por edhe tualete jashtë dhe brenda, në çdo një prej bizneseve, të cilat kanë marrë përsipër edhe pagesat e vrojtuesve të plazhit.
Megjithatë kujdes! Duke përmendur të gjitha këto “mahnitje”, një mikja ime, Silva Gerveni, më përshkruan krahas fotove e atij përshkrimi që më la pa mend duke thënë se, “edhe unë ashtu u mrekullova kur pashë Spillenë për herë të parë, madje shkova edhe një herë të dytë, e sërish e njëjta ndjesi. Kështu që i pagova udhëtimin dy prindërve të mi...por kuptova shumë shpejt se, turistët prenotojnë ditën dhe ikin me vrap natën, për shkak të mushkonjave të shumta që mblidhen në atë brez pishash dhe erës së rëndë të kanalit pas tyre...E çuditshme, sepse çmimet e hoteleve që ishin para pishave kushtonin më lirë, se ato pas kanalit”, na përshkruan ajo ndër të tjerash, teksa kishim nxjerrë fotot e para në rrjetin social Facebook.
Në fakt, pjesa e parë “e mushkonjave” nuk donte shumë mend ta kuptoje, pasi në se hyje brenda atij masivi pishash të dendura, ku gjendeshin rëndom “të huaj” që flisnin gjermanisht mbi hamokë dhe me tenda, e të përshkruaje ato rrugicat sistemuara bukur midis pishave të dendura...nuk kishe si dilje pa së paku “10 fulltaka” në gjithë trupin, madje edhe në pjesët ku me zor mund të çante lukunia e çmendur e mushkonjave, si për shembull poshtë bluzave, apo edhe më tej...Sipas faqes zyrtare të Bashkisë Rrogozhinë, “15.52 kilometrat e vijës bregdetare, i kalojnë kësaj Bashkie. Vija bregdetare shtrihet përgjatë plazhit të Spillesë dhe bën pjesë në njësitë administrative, Gosë dhe Kryevidh”. Po sipas kësaj faqeje, kjo pjesë ka qenë kryesisht e pashfrytëzuar deri në vitin 2016, ndërsa më pas, përgjatë vijës bregdetare u ndërtuan 34 stacione plazhi, ku çdo një prej tyre ka 200 deri në 5000 metra katrorë në përdorim.
Përgjatë kësaj vije bregdetare, aktualisht ka 8 kulla vrojtimi me 16 roje plazhi, (një prej të cilëve me profesion mësues fizkulture edhe biseduam për “Vende dhe Udhëtime”), i cili na tha se që në ditën e dytë të punës një kolegu i tij shpëtoi një pushues nga mbytja e sigurt. Megjithatë asnjë prej rojeve të këtij plazhi nuk ndodhej në kullat e tyre të vrojtimit, ndonëse dylbitë dhe “salvaxhentet” i kishin lënë të varura po aty, por ose në lokalet e zonës, ose duke biseduar me pushuesit kuriozë, ndërsa shprehen se “të huajt janë më të rregullt se shqiptarët kur i bën me shenjë të mos largohen shumë nga bregu”. E nëse ndryshe nga Golemi ku mezi gjenden parkime, e më pak probleme Qerreti, parkimet në këtë zonë, ndodhen midis masiveve të pishave. Plazhi i Spillesë dhe i Grethit, kanë një gjatësi të përbashkët prej 8 kilometrash që nisin nga Guri i Lëmuar, e përfundojnë në grykëderdhjen e lumit Shkumbin. Rëra është e pastër, me ngjyrë të errët, e përshkuar nga disa duna e një brez mbrojtës pyjor.
Vizita të tjera në këtë zonë
Kalaja e Bashtovës, është një tjetër atraksion turistik, i zonës së Rrogozhinës, dikur një port lumor i Shkumbinit. Pranë saj ndodhet edhe Pylli i Dafinave, një tjetër monument natyre i kësaj zone. Rruga shtetërore, ajo zyrtare, që të çon për tek kjo zonë së fundmi është zhytur për shkak të fundosjes së rrugës. Kësisoj bëni kujdes! Kalaja, sipas historianëve, mendohet të ketë qenë dy-katshe (kati i parë i fundosur poshtë tokës), e ndodhet shumë pranë fshatit Vilë-Bashtovë, në një distancë 3-4 kilometra në veri të grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Si një kala fushore, ajo njihet e vetmja e tillë në Ballkan.
Gadishulli i Karpenit
Plazhi i Karpenit, në jug të Golemit, nis nga derdhja e përroit të Draçit dhe arrin deri në kodrat e Karpenit, në një gjatësi 1.5 kilometra. Fusha përreth është e kripëzuar dhe ka një faunë tipike baltovine, me pak shpendë si bisht-tundësi i bardhë, drenja e fushës, vraponjësi gushbardhë, sqepholli i xunkthave, dallëndyshja e detit etj. Ndonëse kryesisht vijnë personat “Vip”, e duke qenë pothuajse 6 kilometra nga rruga automobilistike, është më pak i frekuentuar, ndërkohë që vitet e fundit në kodrat pranë detit, janë ndërtuar disa vila tip alpine.
Carinë
Plazhi i Carinës (i Bagosë) shtrihet në qendër të gjirit me të njëjtin emër, që fillon nga kodrat e Karpenit, deri tek Kepi i Lagjit. Është një plazh me rërë të bardhë dhe të pastër, me kodra të zhveshura, që e bëjnë atë një plazh të vetmuar me florë e faunë të varfër. Ka një vijë plazhi prej 5–6 kilometrash gjatësi, me dafina e mare, duke krijuar disa variacione me rërë, gurë apo dhe struktura shkëmbore. Uji në bregdet është i pastër dhe mjaft i thellë. Rruga automobilistike prej 10 kilometrash nga qyteti i Kavajës, e bëjnë konkurruese me Rivierën e Jonit, duke e konsideruar atë si "perla e Adriatikut".
Plazhi i Gjeneralit
Ka një gjatësi prej 5–6 kilometrash, e pak i njohur nga turistët, ndërsa për çdo vit shtohen këta të fundmit. Emrin e ka trashëguar nga një gjeneral italian që vinte për pushime gjatë viteve 1930-1935. Zona rrënore ka gjatësi 400 metra e gjerësi 50 metra, duke përfunduar me shkëmbinj natyrale që zhyten në det.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.